BE ringjalli energjinë me thëngjill, Kosova ngeli me gishta në gojë

18 mars 2025 | 10:40

Shkruan: Agron Hoti

Përderisa SHBA ishte nxënë me luftën ndaj terrorizmit në Lindje të Mesme 2001-2021 dhe jo vetëm, Rusia gjatë kësaj periudhe po fitonte terren në Evropë, ku përmes eksportit të energjisë së lirë të saj po e fuste nën kontroll BE-në çdo vit e më shumë. Pra, ishe Rusia ajo që po i përcaktonte politikat energjetike të BE-së. Deri në atë masë pati shkuar çmenduria saqë BE zyrtarisht kishte bërë projeksione për të krijuar një zonë të përbashkët energjetike me Rusinë deri në vitin 2050.
Mjerisht evropianët po e rrisnin varësinë e tyre energjetike nga Rusia çdo vit e më shumë. Ndërkohë që në këmbim Rusia krahas Brukselit po i fuste nën kontroll qeveritë e vendeve të BE-së një nga një. Ishte kjo periudha kur Vuçiçi dhe serbët po faktorizoheshin në rajon e Evropë, kurse Hashim Thaçi dhe shqiptarët po defaktorizohej. Duke e kontrolluar Rusia Brukselin po bënte presion mbi të që Kosova mos ta zgjidhte problemin e rrymës, pra që të ngelej e varur nga importi i energjisë.
Arsyetimet e BE-së për mosndërtim të termocentralit me thëngjill nga Kosova ishin se ai dëmtonte mjedisin. Në mbështetje të kësaj politike të BE-së, të dirigjuar nga rusët, qe zgjuar në Kosovë një inxhiniering i tërë politik, medial, OJQ-ist, pastaj qarqe të ndryshme ndërkombëtare të ndikuara fuqishëm nga Rusia, Serbia dhe evropianët që po helmonin opinionin publik se Kosova duhej të hiqte dorë nga energjia me thëngjill, pavarësisht faktit që edhe sot flejmë mbi rezervat e thëngjillit ndër më të mëdhatë në Evropë.
Dhe ashtu edhe ndodhi: Kosova për llogari të evropianëve të kapur nga rusët në vitin 2020 refuzoi investitorin amerikan Couter Global që ta ndërtonte termocentralin e ri energjetik, përmes të cilit Kosova si asnjë vend tjetër i Evropës do të pavarësohej nga importi i energjisë. Dhe sot Kosova ka ngelur e varur nga importi i energjisë, si rezultat i të cilit po rritet për çdo vit çmimi i energjisë, i cili më pastaj po e dëmton ekonominë dhe perspektivën zhvillimore të Kosovës.
Çuditërisht, derisa BE i thoshte Kosovës “jo” për termocentralin me thëngjill, në anën tjetër vetë ajo i ringjalli të gjitha termocentralet me thëngjill si rezultat i sulmit të Rusisë në Ukrainë, ku BE përfundimisht u bë esëll dhe filloi ta braktistë energjinë ruse. Ndërkohë, arsyetimet e BE-së për këtë kthesë të madhe energjetike ishin: “ne duhet të sigurojmë disi energji, sepse pa të kollapson ekonomia jonë”, ndërsa harronin ç’i kishin thënë Kosovë zezës vite më parë. Pra, BE e pasur paska të drejtë t’i ringjallë termocentralet me thëngjill, kurse Kosova e varfër jo.
Ndërsa shikoni SHBA-të sot, ku Kryetari Trump tashmë ka urdhëruar që shteti amerikan të fillojë menjëherë të prodhojë energji me thëngjill për t’i konkurruar Kinës që fare s’e ka ndalur prodhimin e energjisë me thëngjill. Ishte pikërisht koha e Kryetarit Trump 1 kur Kosova i pati thënë po ndërtimin të termocentralit të ri me thëngjill. Pra, sot, BE po e shfrytëzon energjinë me thëngill, kurse Kosova ka ngelur me gishta në gojë, ku të vetmen zgjidhje e ka rritjen e çmimit të energjisë që po e shpopullon dhe shkreton vendin si asnjëherë më parë. Pyetja: deri kur ne do të çojmë ujë te armiqtë tanë?!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bukayo Saka është i bindur se do të jetë gati…