“BE të përjashtojë Serbinë”, SHBA shpreh zhgënjim për qeverinë e re me dy “non grata”
Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin zhgënjim të madh për përbërjen e re të qeverisë së Serbisë. Kjo vjen pasi në të janë dy persona të sanksionuar nga Departamenti i Thesarit, përkatësisht Aleksandër Vulin, ish-kryespiun që do të mbajë rolin e zëvendëskryeministrit, dhe Nenad Popoviç, që njihet për lidhjet e errëta me Rusinë, i cili do të shërbejë si ministër pa portofol.
Për Zërin e Amerikës, një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se Uashingtoni nuk do asnjë rol në vendimet e qeverisë së re që udhëhiqet nga Millosh Vuçeviç.
“Jemi të zhgënjyer kur shohim dy persona të sanksionuar të propozohen për poste në qeverinë e re. Qëndrimi ynë për zotin Vulin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara”.
Përbërja e qeverisë së re të Serbisë po lexohet gjerësisht nga ndërkombëtarët si një përcaktim i qartë i këtij shteti krah Rusisë duke vënë në pikëpyetje procesin e anëtarësimit në BE, por edhe raportet me SHBA-të.
Sikundër përgjigje, po kërkohet që Brukseli të ndalojë financimin e projekteve.
“Përgjigja jonë e qartë duhet të jetë: Ta përjashtojmë atë nga proceset tona. Nuk ka më para të BE-së. Nuk do të ketë fonde nga pakoja e rritjes për Serbinë për sa kohë Aleksandër Vuçiç vijon të vallëzojë me autokratët në Kinë dhe Rusi.”, thotë Viola Voncramon, raportuese për Kosovën në PE.
Vulin është sanksionuar nga Amerika për transport të paligjshëm armësh, trafik droge dhe keqpërdorim të posteve publike.
Por është dekoruar nga Rusia e Putinit, një lëvizje që duket se ka detyruar kthimin e tij në qeverinë serbe. Kabineti që do të drejtojë Vuçeviç, ka një përbërje me ekstremistë, teoricienë konspirativë, madje dhe njerëz të lidhur me krimin si rasti i Zlatibor Lonçar, që mban nofkën “Doktor Vdekja” që do të shërbejë si ministër i shëndetësisë.