Beckenbaueri, për humbjen e Gjermanisë nga Spanja: Bota po qesh me ne
Humbja 6-0 kundër Spanjës ka shkaktuar kritika dhe zemërim të madh në Gjermani. Mbi të gjitha ndaj Joachim Low, trajnerit të kombëtares. 60-vjeçari, i cili është në stolin e “Pancerave” prej vitit 2006, ndodhet në momentin më të vështirë të tij dhe të shumtë janë ata që mendojnë se ka ardhur koha për një ndryshim në pankinë.
Rreth gjendjes së vështirë të krijuar pas disfatës tenistike ndaj skuadrës së Luis Enrique, humbje që Gjermania nuk e pësonte prej vitit të largët 1931, ka folur edhe Franz Beckenbauer. Më i madhi i futbollit gjerman, flet rreth Low dhe kombëtares në një prononcim për Bild.
“Trajneri duhet të vazhdojë punën dhe të përgatitet për Euro 2021. Muller duhet të rikthehet, do rregullonte shumë gjëra në skuadrën kombëtare, njësoj siç ndodh në momentet e vështira të Bayern Munchen. Low duhet të ndryshojë, sidomos kur gjërat nuk ecin mirë. Kjo Gjermani ka nevojë për një lider karizmatik, i cili bëhet i rëndësishëm kur ka probleme dhe gjërat nuk shkojnë mirë. Bota po qesh me ne, por, për fat të mirë, këto dështime ndodhin rrallë te kombëtarja jonë“, deklaron Beckenbauer.