Bedri Hamza betohet si kryetar i Mitrovicës më 1 dhjetor
Kryetari i zgjedhur i Mitrovicës, Bedri Hamza do të betohet si kryetar i kësaj komune më 1 dhjetor.
Këtë për Indeksonline e ka konfirmuar vet Hamza, i cili ka bërë me dije se e ka thirr seancën dhe e ka dërguar rendin e ditës për datën 1 dhjetor.
Ish deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se është në bisedime për të krijuar një koalicion stabil në këtë komunë.
“Jemi në bisedime. PDK i ka fituar 14 asamblist. Kam pas marrëveshje me disa subjekte që kanë fituar nga një asamblist, besoj se do të jetë në rregull sa i përket shumicës në kuadër të asamblesë”, ka thënë Hamza.
Më tutje, ai ka thënë se ka pasur negociata edhe me Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Sa i përket LDK-së, kam pasur biseda. Realisht i kuptoj interesat e subjekteve politike. Të shohim a po mund të gjejmë gjuhë të përbashkët”, ka shtuar Hamza.
Kujtojmë se Hamzën për kryetar të Mitrovicës e kishin mbështetur AAK-AKR dhe Partia e Drejtësisë të cilat kanë siguruar një këshilltar komunal.