Bedri Hamza: Hapja e urës mbi lumin Ibër të bashkërendohet me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Kosovës

09 gusht 2024 | 21:14

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza thotë se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të kryhet në bashkërendim me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Kosovës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se duhen shmangur veprime që mund të çonin në tensionim të situatës. “Duhet të ketë bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim me NATO-n , që ka trupat e vet në kuadër të KFOR-it, me ambasadat në Kosovë, me diplomacitë e vendeve mike me qëllim që të mos shkaktohet një situatë që në vend që të ketë progres të lëvizim në regres dhe të përballemi me një situatë e cila më pastaj do ta bllokonte urën për lëvizje për një kohë më të gjatë”, u shpreh ai.

Zoti Hamza, tha se çështja e urës ishte temë në takimet që ai ka patur me zyrtarë amerikanë gjatë qëndrimit në Uashington.

Autoritetet në Kosovë mbyllën të hënën zyrat e postës së Serbisë në veri dhe filluan të enjten testimin e qëndrueshmërisë së urës kryesore mbi Ibër që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, si përgatitje për hapjen e saj për lëvizjen e makinave, mes kundërshtimeve të KFOR-it dhe diplomatëve perëndimorë.

Qeveria e Kosovës thotë se hapja e urës do të ishte simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndëretnike ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare.

Zëri i Amerikës: Qyteti juaj është vënë përsëri në qendër të vëmendjes pas planeve të qeverisë së Kosovës për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për makinat. A duhet të hapet ura për lëvizjen e automjeteve, cili është mendimi juaj?

Bedri Hamza: Ura për këmbësorë është e hapur, por duhet hapur edhe për automjete. Mirëpo duhet të ketë bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim edhe me faktorë të tjerë, në këtë rast edhe me NATO-n, që ka trupat e vet në kuadër të KFOR-it, me ambasadat në Kosovë, me diplomacitë e vendeve mike me qëllim që të mos shkaktohet një situatë që në vend që të ketë progres të levizim në regres dhe ku mund të kemi dhe të përballemi me një situatë e cila më pastaj do ta bllokonte urën për lëvizje për një kohë më të gjatë.

Ndaj, ura, e dimë rolin e saj, është për të lehtësuar qarkullimin, për të lëvizur njerëzit, idete kapitali, në pjesën jugor të qytetit të Mitrovicës është e hapur, janë të mirëpritur kushdo kalon andej, janë të mirëpritur ta vizitojnë, të bëjnë biznes në Mitrovicë, të pijnë kafe në Mitrovicë, pa dallim etnie dhe në këtë drejtim ne duhet t’i kontribuojmë që të kemi një shtensionim të situatës, një krijim të kushteve që të kemi një normalitet në ketë pjesë të Kosovës dhe gjithsesi ne duhet të jemi ngushtë të koordinuar dhe të bashkëpunojmë që të kemi përkrahjen edhe të partnerëve tanë strategjikë në këtë drejtim.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, ka përfunduar obduksionin e…