Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër të Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pritet të propozojë Bedri Hamzën kandidat për kryeministër të ardhshëm të Kosovës.
Burimet e gazetës “Nacionale”, kanë bërë me dije se prezantimi i Hamzës do të bëhet në një konferencë për medie, e cila do të mbahet në ora 15:00.
Derisa po shtohen zërat për zgjedhje të parakohshme në Kosovë, partitë politike kanë filluar lëvizjet e para si përgatitje për to.
“Nacionale” mëson se Krasniqi propozimin e kandidaturës së z. Hamza do ta bëj sot në mbledhje të Kryesisë së PDK-së.
Emri i kryetarit të Mitrovicës dhe ish-ministrit të Financave, Bedri Hamza, ka kohë që është lakuar në opinionin publik si kandidat i mundshëm i PDK-sëpër kryeministër.
Ditët e fundit, kjo nuk është mohuar si mundësi, as nga vetë deputetë të PDK-së, të cilët nëpër një seri debatesh televizive, nuk e kanë përjashtuar si mundësi emrin e Bedri Hamzës në këtë kandidaturë.
Sipas statutit të kësaj partie, kandidat për kryeministër është kryetari i partisë – vetëm në raste kur ky i fundit, ia propozon partisë një emër tjetër si kandidat për kryeministër.
PDK-ja mban mbledhjen e Këshillit Drejtues këtë të enjte. Kryetari i kësaj partie, Memli Krasniqi, në një konferencë për medie dje, ka thënë se “kjo mbledhje do të jetë si përgatitje për zgjedhje”.