BEDRI HAMZA, kryetar i Mitrovicës pas 17 tetorit 2021

02 shtator 2021 | 10:15

Shkruan: Ismail Syla

1.
“Kujdes bir, ruaju prej tyre, se ata e kanë dorën e keqe!”. Që në fëmijëri dhe rini të hershme në mendjen e Bedri Hamzës ishte ngulitur kjo këshillë e babait të tij në ballafaqim me jetën, e cila nuk është a se lehtë e as shumë e mëshirshme. Ishte një këshillë sa tipologjike aq edhe udhëzim për të ecur në rrugë të mbarë, duke kërkuar nga ai që t’i njohë dhe të ruhet nga ata që nuk jetojnë nga djersa dhe puna e tyre, por nga shpërdorimet, abuzimet, plaçkitjet, vjedhjet dhe gjithë format e ndryshme të përfitimit të pamerituar. Ky udhëzim u bë vath në vesh të djaloshit, i cili një ditë u bë ekonomist i dalluar dhe që çdo të arritur e bëri me mund, djersë dhe nder.
Kjo moto e babait të z. Hamza m’u ringjall edhe më shumë për faktin që ky, si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës ka vendosur të garojë për kryetar komune të Mitrovicës në zgjedhjet e 17 tetorit 2021.

2.
Në Kosovën e lirë, Badri Hamza u angazhua në kuadër të Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, një Qeveri Hije e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila po përgatitej të garonte për zgjedhjet e nëntorit 2007. Kabineti i Qeverisjes së Mirë ishte një trupë “ekzekutive” e PDK-së me kuadro të të gjitha profileve që i rrinin përballë ministrave të qeverisë së atëhershme me plot seriozitet, duke kujdestaruar mbi gabimet dhe lëshimet e saj. Në historinë politike të Kosovës Kabineti i Qeverisjes së Mirë është unikat dhe duhet të shërbejë si model për fuqinë alternative të partive opozitare. Në kudër të këtij kabineti, në fushën e ekonomisë Bedri Hamza e tregoi talentin e tij, përkushtimin dhe zotësinë e tij.
Zhvillimi politik i z. Bedri Hamza ishte me linja dhe etapa normale, hapa pas hapi, shkallë pas shkale, gjithnjë duke ecur përpara, duke u forcuar dhe zhvilluar me punë sistematike dhe rezultate të dukshme. Në qeverinë Thaçi Një, z. Hamza ishte zëvendësministër i ekonomisë dhe Financave, pastaj ministër. Si ministër shkëlqeu dy herë, duke lënë gjurmë në bashkëpunim me FMN në BB, në menaxhimin e mirë të buxhetit, në rritjen e rrogave në të gjithë sektorët dhe për të gjitha kategoritë shoqërore të Kosovës.
Kështu, duke qenë sistematik dhe duke ecur në një linjë normale Bedri Hamza ka një trashëgimi të pasur brenda institucioneve shtetërore të Kosovës. Falë aftësive të tij profesionale, zellit dhe përkushtimit ai është sinonim i stabilitetit në të gjitha institucionet ku punoi. Si Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës krijoi stabilitetin financiar të shtetit të Kosovës. Reputacioni i mirë i BQK-së si në rrafshin ndërkombëtar ashtu edhe brenda vendit lidhet me emrin e tij që prej kohës kur ai e drejtoi këtë institucion.
Si deputet në Kuvendin e Kosovës Bedri Hamza u shqua vazhdimisht për kulturë parlamentare. Jo për grindje, fyerje e denigrim të oponentëve politikë, që në disa raste sherre të tilla u bëhen bukë e përditshme disa deputetëve militantë. Prania e z. Bedri Hamza në Kuvendin e Kosovës është vënie standardi, i bën nder emrit dhe profilit të deputetit të Kosovës.

Në debate televizive me forcën e argumentit dhe qetësinë e duhur ka imponuar respekt e konsideratë edhe tek kampet tjera politike dhe tek publiku i gjerë në Kosovë. Është i njohur debati me një përfaqësues të shkollës ekonomike jugosllave “Riinvest”, ku z. Hamza tregon sipëranitet ndaj tij, duke thyer mitin e një elite të shpifur, e cila vazhdimisht ka përfituar financiarisht me gjoja ekspertizën e pakontestueshme.

3.
Kandidimi i z. Bedri Hamza për kryetar të Mitrovicës është akt me shumë domethënie:
E para. Gatishmëria e tij për ta lënë kolltukun e rehatshëm të nënkryetarit të Kuvendit tregon se z Hamza është i gatshëm për sakrificë personale në të mirë të qytetarëve të një rajoni të rëndësishëm dhe të ndjeshëm të Kosovës, siç është Mitrovica dhe vendbanimet, gjeografia dhe qytetarë e saj.
E dyta. Bedri Hamza tregon pjekurinë dhe kulturën politike në favor të forcimit të Partisë Demokratike të Kosovës, e cila duhet ta ndalë trendin e rënies dhe rrënimit.

E treta. Tërë trashëgiminë politike dhe karrierën e suksesshme po vë në dispozicion të fitores së gjithë qytetarëve të Mitrovicës.
E katra. Përgatitja profesionale, përvoja dhe suksesi i deritashëm i z. Hamza janë garancitë më të mira për sukseset dhe arritjet e pritura për Mitrovicën e udhëhequr nga ai pas 17 tetorit 2021.
E pesta. Integriteti i lartë moral dhe aftësitë profesionale të z. Hamza tregojnë se ai është i pa ndikueshëm nga qarqet e interesit. Bedri Hamzën e udhëheq vetëm Bedri Hamza dhe interesat për të mirën e qytetarëve.

E gjashta. Të mos harrojmë se dora e Bedri Hamzës në Mitrovicë është ndjerë edhe nga pozicionet e tij politike në Prishtinë. Ta kujtojmë kompleksin modern universitar “Isa Boletini”, liqenin artificial të qytetit… E, sa e sa projekte do t’i jetësojë z, Hamza pas 17 tetorit 2021.

Dhe krejt në fund: Më vjen keq dhe më mbetet merak që nuk jam qytetar i komunës së Mitrovicë, që të jetoj në kohën e drejtimit të saj nga z. Bedri Hamza.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Emigrantët që jetojnë dhe punojnë nëpër shtetet në ndryshme të…