Bedri Hamza kujton Thaçin e Veselin në përvjetorin e PDK-së: E bartën mbi supe kapitullin e lavdishëm të lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit
Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, në përvjetorin e 25 të këtij subjekti politik ka thënë se jo rastësisht, themeluesit e Partisë Demokratike, ata të cilët e donin një Kosovë të pavarur, demokratike dhe të zhvilluar, ishin pikërisht ata që e bartën mbi supe kapitullin e lavdishëm të lirisë së saj.
“Gjatë këtyre 25 viteve, jo gjithmonë kemi pasur mandat për të qeverisur, por kurdo që kemi qeverisur, i kemi vënë në jetë aspiratat më fisnike të shoqërisë tonë. E kemi shëndrruar Kosovën nga një vend i lënë në harresë, në një vend të zhvilluar ekonomikisht. E kemi ndryshuar fizionominë e saj në mënyrë të prekshme, me rrugë, me autostrada, me shkolla, universitete e spitale. Me mundësi për ndërmarrësi, me vende pune dhe me paga të qëndrueshme e të krahasueshme, jo vetëm me rajon, por edhe më gjerë. I kemi dhënë krahë të rinjve e të rejave, sportistëve, artistëve, studentëve e profesorëve, mjekëve e mësimdhënësve, duke ua hequr barrën e pasigurisë sociale. I kemi dhënë shtetit integritetin e brendshëm dhe i kemi hapur lidhjet me botën perëndimore bashkë me aleatët tanë”, ka thënë Hamza.
Kandidati i PDK-së për Kryeministër ka thënë se në këtë ecje të përbashkët në këto 25 vite, kanë pasur edhe sfida.
“Ndër sfidat më të mëdha kanë qenë zhvillimet me procesin e Hagës, ku ish liderët tanë Hashim Thaçi e Kadri Veseli, me bashkëluftëtarët e tyre, po mbahen aktualisht. Duke pasur fatin e madh që të isha një ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të të dyve, kjo sfidë nuk ka qenë e lehtë as për mua. Por, një gjë e ndjej për obligim t’ua them sonte. Ata e kanë dashur dhe e duan Kosovën dhe të ardhmen e saj, pavarësisht sfidave aktuale, dhe këtë na e kanë dëshmuar në njëmijë mënyra. Prandaj, ne e kemi detyrë të angazhohemi me krejt vullnetin, forcën dhe përgjegjësinë tonë, që Kosovën ta rikthejmë në rrugën për të cilën kanë punuar e sakrifikuar”, ka shtuar Hamza.