Bedri Hamza: Përkrahja për kategoritë e luftës do të rritet për 50%
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, ka thënë se për familjet që kanë dhënë heronj, dëshmorë e martirë, për ata që kanë humbur gjymtyrë dhe plagët ende i kanë të hapura, do u rriten të ardhurat.
Sipas Hamzës, për kategoritë e dala nga lufta, pensionet do të rriten për 50%.
“Për të gjitha këto kategori, duke përfshirë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, pensionet do të rriten për 50 %.” – ka thënë Hamza.
Ai tutje ka shtuar se se veteranët nuk do të kenë më nevojë të zgjedhin mes pagës dhe pensionit, sepse do t’u mundësohet ta mbajnë vendin e punës dhe në të njëjtën kohë ta gëzojnë pensionin e merituar.
“Atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe pavarësinë e shtetit tonë do t’u ofrohen mundësi më të mira dhe të ardhura më të larta. Përkrahja për të gjitha kategoritë e luftës do të rritet për 50%. Po ashtu, veteranët nuk do të kenë më nevojë të zgjedhin mes pagës dhe pensionit, sepse do t’u mundësohet ta mbajnë vendin e punës dhe në të njëjtën kohë ta gëzojnë pensionin e merituar.” – ka deklaruar Hamza.