Bedri Hamza vazhdon me ‘punëtori’ në Ferizaj, i kërkohet rritje e pagave, ndryshime në TVSH dhe digjitalizim në shëndetësi
Kandidati PDK-së për Kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza, ka vazhduar takimet me qytetarë të Kosovës. Kësaj radhe, Hamza ka bashkëbiseduar me qytetarë në Ferizaj, nga të cilët ka marrë propozime dhe sugjerime për programin e tij qeverisës.
“Ferizaj ishte qyteti i radhës, ku e mbajta punëtorinë me qytetarë dhe mora ide të mira për programin tim. U jam mirënjohës qytetarëve të shumtë anekënd Kosovës, që çdo ditë po angazhohen dhe kontribuojnë me idetë e tyre. Po i bashkojmë qëllimet tona për ta bërë Kosovën më të mirë”, ka shkruar Hamza në profilin e tij në Facebook, ku i ka bashkëngjitur edhe një video nga këto takime.
Hamza sërish i ka ftuar qytetarët që me idetë e tyre të bëhen pjesë e programit të tij, i cili ka në qendër adresimin e kërkesave të qytetarëve të Kosovës.
Në këtë video, qytetarët e Ferizajt dëgjohen duke kërkuar nga Hamza rritje të pagave në sektorin publik, përmes rritjes së koeficientit dhe mbështetje të kontratës kolektive.
Ata, po ashtu, kanë numëruar edhe prioritete të tjera që programi i Hamzës duhet t’i ketë, duke sugjeruar edhe digjitalizimin e shëndetësisë në Kosovë.
“Shumë ma mirë kish qenë që kjo TVSH me u pagu kur unë e shes mallin, jo kur unë e blej mallin”, ka thënë një nga të pranishmit e punëtorisë në Ferizaj.
Në fund, Hamza ka theksuar se një pjesë e madhe e asaj që është diskutuar në Ferizaj do të jetë pjesë e programit të tij qeverisës.
Hamza ka thënë se vetëm të bashkuar mund ta bëjmë Kosovën më të mirë për të gjithë.
Videon mund ta shihni në këtë link: https://www.facebook.com/share/r/dj2hju7RPFJ7AZQW/