Bedri Hamza viziton Thaçin e Veselin në Hagë: Rikthimi i tyre në Kosovë është akti më i drejtë juridik
Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza pas vizitës që u ka bërë në Hagë ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka thënë se rikthimi i tyre në Kosovë, pranë familjeve dhe popullit të tyre, është akti më i drejtë juridik, politik e moral, i cili padrejtësisht po zvarritet.
“Rikthimi i tyre në Kosovë, pranë familjeve dhe popullit të tyre, është akti më i drejtë juridik, politik e moral, i cili padrejtësisht po zvarritet”.
Hamza ka treguar se gjatë qëndrimit në Hagë ka takuar Thaçin e Veselin, për të cilët ka thënë se ndihet krenar sa herë që i takon.
“…ndjehem krenar kur i shoh të fortë e të pathyeshëm, por thellësisht i prekur kur vjen koha të ndahem prej tyre”
Ky është postimi i plotë në Facebook:
Sa herë që jam në Hagë për t’i takuar presidentin Thaçi, kryetarin Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre, ndjehem krenar kur i shoh të fortë e të pathyeshëm, por thellësisht i prekur kur vjen koha të ndahem prej tyre.
Ish-udhëheqësit e UÇK-së dhe të shtetit po paguajnë çmim të lartë dhe shumë të padrejtë, që luftës për liri, pavarësisë dhe Kosovës t’ia heqin njollat që padrejtësisht na u vunë.
U çmallëm për pak orë dhe u gëzova shumë kur i pashë plot shpresë që e vërteta e luftës së UÇK-së, ajo që të gjithë ne e njohim, presin të konfirmohet në fund të këtij procesi të stërzgjatur gjyqësor. Njëkohësisht, Kosova dhe institucionet e saj duhet të bëjnë më shumë për mbrojtjen e tyre dhe të vërtetën e luftës së popullit tonë.
Rikthimi i tyre në Kosovë, pranë familjeve dhe popullit të tyre, është akti më i drejtë juridik, politik e moral, i cili padrejtësisht po zvarritet.