Befason presidenti i Ukrainës, betohet dhe thërret zgjedhjet e parakohshme
Ka bërë betimin si president i ri i Ukrainës dhe menjëherë ka thirr zgjedhje të parakohshme. Kjo ishte në fakt një lëvizje surprizë e presidentit të ri të vendit, komedianit Volodimir Zelenski, i cili ka njoftuar gjatë ceremonisë së betimit në Kiev se do të shpërndante Parlamentin.
Zgjedhjet e parakohshme pritet të mbahen tashmë në tetor të këtij viti. Zelenski ka thënë se fundi i konfliktit me rebelët e mbështetur nga Rusia në lindje të vendit do të ishte prioritet i tij kryesor.
Një rishtar në politikë, Zelenski ka bërë fushatë të ashpër kundër korrupsionit.
“Njerëzit duhet të vijnë në pushtet për t’i shërbyer publikut”, ka thënë ai.
Ish-ylli i televizionit, që ka luajtur rolin e presidentit në një komedi në televizion, ka shënuar një fitore të thellë në zgjedhjet presidenciale të muajit të shkuar.
“Ne duhet të bëhemi islandezë në futboll, izraelitë në mbrojtjen e vendit tonë dhe japonezë në teknologji”, ka thënë ai.
Ndërsa, duke iu referuar Rusisë, por pa e përmendur atë, ai ka thënë se “ukrainasit duhet të bëhen zviceranë sa i takon aftësisë për të jetuar të lumtur përkrah njëri-tjetrit, pavarësisht dallimeve”.