Befasuese, Shaqiri në shitje
30 dhjetor 2021
| 10:58
Skuadra e Lyonit ka vendosur ta nxjerrë në shitje Xherdan Shaqirin në afatin kalimtar të janarit, vetëm gjashtë muaji pasi e bleu bujshëm nga Liverpooli.
Gjiganti i Ligue 1 e bleu Shaqirin nga Liverpooli në një marrëveshje prej 11 milionë eurove në verë, duke e bërë atë lojtarin më të paguar në klub. Por përfaqësuesi kosovar i Zvicrës nuk ia ka dalë të lërë mbresa në pjesën e parë të sezonit në futbollin francez dhe Lyoni nuk është aspak i kënaqur.
Shaqiri nënshkroi marrëveshje trevjeçare me Lyonin, deri në vitin 2024, dhe merr pagë mujore prej 350.000 eurove, apo 4.2 milionë në vit. Gazeta e përditshme franceze “L’Equipe” shkruan se Lyoni po kalon nëpër kohë të vështira, kryesisht financiarisht, dhe do ta dëgjojë çdo ofertë për Shaqirin.
Klubi francez synon ta blejë sulmuesin e Saint Petersburg, Sardar Azmoun, të cilin e sheh si zëvendësues të Shaqirit. 30-vjeçari nga Gjilani i ka bërë vetëm tetë paraqitje për Lyonin në Ligue 1 deri tani këtë sezon, duke e shënuar një gol dhe duke i dhuruar dy asistime.