
Begaj, bisedë me përfaqësuesit e Forcave të Armatosura të Shqipërisë jashtë vendit
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me përfaqësuesit e Forcave të Armatosura të Shqipërisë që shërbejnë në misione dhe operacione jashtë vendit në kuadër të NATO-së, BE-së dhe OKB-së.
Presidenti Begaj i uroi efektivët shqiptarë me rastin e fillimit të vitit të ri, duke shprehur vlerësim për përkushtimin dhe sakrificën e tyre që në momentet e ndërrimit të viteve ndodhen larg familjeve dhe njerëzve të dashur, në krye të detyrës dhe në shërbim të një misioni fisnik për ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Trupat shqiptare janë pjesë e misioneve jashtë vendit nga Kosova në Bosnjë-Hercegovinë, Bullgari, Letoni, Irak dhe deri në Sudanin e Jugut.
“Shërbimi juaj përkrah aleatëve është një shërbim që përshkohet nga sakrificat, përkushtimi, përgjegjshmëria dhe disiplina e lartë që karakterizon Forcat e Armatosura”, theksoi presidenti Begaj.
Presidenti tha ndër të tjera se viti 2022 ishte një vit shumë i vështirë, ku agresioni i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës rrezikoi paqen dhe sigurinë në hapësirën euro-atlantike, ndërsa efektet e saj ndihen në jetën e çdo qytetari.
Nga ana tjetër, sipas presidentit Begaj ky konflikt ka dëshmuar rëndësinë, forcën dhe kompaktësinë e aleancës, e cila është e aftë të mbrojë çdo centimetër të saj dhe vendeve anëtare.
Presidenti Begaj ka theksuar se Shqipëria si anëtare e NATO-s do të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë aktive në misione dhe operacione të drejtuara nga NATO si dhe do të rrisin kontributet aty ku do të jetë e nevojshme.
“Këto ditë kam ndjekur me shqetësim ngjarjet në veri të Kosovës. Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s është e përkushtuar dhe mbështet misionin e KFOR, që ne e cilësojmë si një histori suksesi. Unë ju falënderoj ju kontingjent që jeni atje, për të gjithë përkushtimin e treguar në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë”.
“Forcat e Armatosura janë shumë të rëndësishme për një vend dhe unë sot nëpërmjet jush gjej rastin të falënderoj të gjitha Forcat e Armatosura shqiptare për përkushtimin e treguar në përmbushjen e çdo detyre kushtetuese, por edhe në përballimin e atyre situatave të cilat kanë qenë jo të pakta gjatë vitit, si emergjencat e ndryshme”, ka deklaruar presidenti.