Begaj e uroi anglisht, Siljanovska i falënderohet shqip!
Presidentja e sapozgjedhur e Maqedonisë së Veriut, Gordana Sijlanovska Davkova, ka falënderuar presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, për urimin e tij lidhur me zgjedhjen e saj në krye të shtetit.
Ajo që bie në sy është fakti se Gordana Siljanovska Davkova, presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, komunikon shqip me presidentin Begaj.
Pak orë pasi ky i fundit uroi zonjën Gordana Siljanovska Davkova për zgjedhjen në krye të shtetit me anë të një postimi në platformën X, presidentja e Maqedonisë së Veriut shkroi në shqip.
Ajo e ftoi presidentin e Shqipërisë për bashkëpunim mes dy vendeve dhe për integrim në Bashkimin Evropian.
“I nderuar President Begaj, çelësi i integrimit evropian të Ballkanit qëndron në zhvillimin e bashkëpunimit tonë rajonal.
Ju ftoj së bashku të punojmë për avancimin e marrëdhënieve maqedono-shqiptare si dhe për integrimin tonë evropian”, kështu shkruan presidentja e Maqedonisë së Veriut në përgjigje të urimit në anglisht të presidentit Begaj.