Begaj emëron katër drejtorë të rinj në qeverinë komunale në Malishevë
Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka prezantuar të martën katër drejtorë të rinj të drejtorive komunale, të cilëve edhe u ka dhënë vendimet për emërim në detyrat e tyre.
Drejtorët e rinj të cilët kanë marrë detyrat janë: Besartë Kryeziu-Ramaj, drejtoresh e Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme, Rexhep Mazreku – drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Ahmet Morina – drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Hafir Rexha – drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Në ceremoninë e dhënies së detyrave për drejtorit e rinj, kryetari Begaj ka kërkuar nga angazhim dhe bashkëpunim të mirë, me qëllim të realizimit të detyrave që i presin.
“Kërkoj bashkëpunim dhe angazhim nga ana juaj. Kemi obligime në raport me qytetarët, prandaj kërkoj shumë punë dhe shumë angazhim, që së bashku t’ia dalim në realizimin e detyrave dhe obligimeve që kemi. Ju uroj punë të mbarë dhe suksese në drejtoritë që do të drejtoni”, ka thënë Begaj.
Begaj i ka falënderuar edhe ish drejtorët e deritanishëm, për punën dhe kontributin tyre në drejtimin e drejtorive komunale.
(Q.R / Epoka e re)