Begaj interesohet që t’i sjell biznesmenët turq në qytetin e Malishevës
Kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka vizituar komunën e Bajrampasha në Stamboll, ku është pritur nga kryetari i saj Atila Aydiner. Begaj dhe Aydiner kanë biseduar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy komunave në fusha të ndryshme.
“I nderuar kryetar Ragip Begaj, ju falënderoj për vizitën që i bëni komunës sonë. Ne jemi të interesuar të bashkëpunojmë me komunën tuaj, në mënyrë që t’i rrisim marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona dhe dy komunave”, ka thënë Aydiner.
Të dy kryetarët kanë thënë se do ta vazhdojnë bashkëpunimin me vizita të ndërsjella. Kryetari i Malishevës në kuadër të vizitës në këtë komunë, ka vizituar edhe sektorin e biznesit, ku është takuar me pronarët e bizneseve të mëdha të kësaj pjese të Stambollit.
Ndërkaq biznesmenët turq kanë shprehur interesimin e tyre për të zgjeruar bizneset prodhuese edhe në Kosovë, veçanërisht në komunën e Malishevës.