Begaj kërkon që të përshpejtohet realizimi i projekteve kapitale
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka mbajtur mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve.
Në këtë mbledhje, në mesin e shumë çështjeve dhe raportimeve, u fol edhe për përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, si dhe për realizimin e projekteve kapitale dhe planifikimeve komunale.
Kryetari Begaj ka kërkuar nga drejtoritë përkatëse, që të përshpejtohet realizimi i projekteve kapitale. “Jemi në muajt e fundit të vitit dhe projektet infrastrukturore mund të shënojnë ngecje për shkak të reshjeve”, ka thënë Begaj.
Në këtë mbledhje, drejtori i Arsimit, Blerim Thaçi, ka bërë me dije se janë duke u bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor, në të gjitha shkollat e Komunës së Malishevës.
Ai ka thënë se disa prej objekteve shkollore, janë duke vazhduar meremetimet e domosdoshme, të cilat pritet të përfundojnë deri në fillimin e vitit shkollor.