Begaj: Kurrë nuk do të pajtohemi me veprime që bien ndesh me Kosovën

08 tetor 2024 | 11:07

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në takimin e përbashkët me shqiptarët e Malit të Zi, ka theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjes mes shqiptarëve në të gjitha trevat.

Për çështje madhore kombëtare, ka theksuar Begaj se si shqiptarë duhet të jenë bashkë pavarësisht ideologjive politike e partiake.

“Ne duhet të jemi bashkë për çështjet që kanë të bëjnë më orientimin Euroatlantik të shqiptarëve. Kjo është një ëndërr dhe aspiratë e shqiptarëve, për të cilën nuk negociohet”, ka thënë Begaj.

Më tutje, Begaj ka përgëzuar përfaqësuesit e shqiptarëve të Malit të Zi për atë që kanë bërë dhe bëjnë në interes të shqiptarëve dhe i ka këshilluar se është e rëndësishme të mos tolerojnë veprimet antishqiptare.

“Nëse ne shohim një qëndrim që bie ndesh me interesat e shqiptarëve, që bie ndesh me ëndrrat e shqiptarëve, me rrugëtimin tonë evropian, me qenien tonë në NATO, patjetër që këto gjëra nuk tolerohen, janë vijë e kuqe ndarëse. Mendimet individuale ne nuk i kundërshtojmë dot. Ne kundërshtojmë veprimet. Ne kurrë nuk do të pajtohemi me veprime që bien ndesh me Kosovën, bien ndesh me njohjen e saj, bien ndesh me votimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare”, ka thënë Begaj.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë është shprehur se duhet bërë më shumë në rritjen e përfaqësimit të shqiptarëve në administratë dhe jo vetëm.

Gjithashtu, ai është shprehur se asimilimi i shqiptarëve është një fenomen mjaft shqetësues, për parandalimin e të cilit është i nevojshëm hartimi i një strategjie afatgjatë, e cila do të duhet të ketë në fokus ruajtjen e identitetit kombëtar përmes arsimit, gjuhës dhe kulturës shqipe.

Presidenti i Republikës ka përgëzuar miratimin e tekstit të abetares së përbashkët në shkollat e Malit të Zi, ku mësimi bëhet në gjuhën shqipe.

Nga sot e tutje, në shkollat shqipe, nxënësit do të mësojnë gjuhën shqipe me të njëjtin libër si moshatarët e tyre në Kosovë dhe Shqipëri.

Duke e theksuar rëndësinë e kësaj arritjeje, presidenti Begaj është shprehur: “Abetarja është ajo që na mëson gjuhën dhe gjuha është rrënja e kombit. Pa gjuhë, nuk ka komb”.

Gjatë bisedës me presidentin, përfaqësuesit e partive politike shqiptare në Malin e Zi, kanë evidentuar kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik, kulturor e politik të vendit dhe është shprehur shpresëplotë për pritshmëritë në forcimin e pozitës së tyre në të ardhmen.

Ata, gjithashtu, kanë siguruar se me kontributin e tyre në jetën politike dhe ekonomike në Malin e Zi, do të vazhdojnë të jenë faktor të rëndësishëm për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Presidenti Begaj i ka siguruar ata se ai personalisht do të mbështesë çdo iniciativë që i shërben forcimit të faktorit shqiptar në rajon e më gjerë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanye West thuhet se u nda nga gruaja e tij,…