Begaj me mesazh urimi për Zelenskyn: Shqipëria qëndron e palëkundur ndaj integritetit territorial të Ukrainës
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i ka dërguar një telegram urimi homologut ukrainas, Volodymyr Zelenskyt për Ditën së Pavarësisë së Ukrainës.
Begaj ka përmendur marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve dhe rithekson qëndrimin e palëkundur ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës.
Ky urim i Begajt vjen në 32-vjetorin e pavarësisë së Ukrainës, e cila është duke u përballur me pushtimin nga ana e Rusisë.
Mesazhi i plotë i Begajt:
I nderuar zoti president!
Kremtimi i Ditës së Pavarësisë së Ukrainës më jep mundësinë dhe kënaqësinë që edhe në emër të popullit shqiptar t’ju përcjell Juve dhe popullit mik të Ukrainës urimet më të mira e të përzemërta.
Më lejoni që me këtë rast të shpreh kënaqësinë për marrëdhëniet miqësore midis dy vendeve tona, të cilat këtë vit kremtojnë 30-vjetorin e tyre, por edhe të vlerësoj lidhjen e sinqertë midis dy popujve tanë, falë edhe diasporës së hershme shqiptare në Ukrainë.
Në këtë 30-vjetor, si shenjë e dëshirës dhe e vullnetit tonë për të qenë sa më pranë Ukrainës dhe për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, Shqipëria ka vendosur ta ngrejë nivelin e pranisë së saj diplomatike në Kiev.
Përfitoj nga rasti të ritheksoj qëndrimin e qartë dhe të palëkundur të Shqipërisë në mbrojtje të integritetit territorial, sovranitetit dhe të pavarësisë së Ukrainës.
Ju siguroj se Shqipëria do të vazhdojë të kontribuojë në Këshillin e Sigurimit dhe në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, por edhe me mbështetje diplomatike e ushtarake, pasi ndajmë vlera dhe interesa të përbashkëta euroatlantike.
Me urimet më të mira në këtë ditë të shënuar për vendin tuaj, Ju lutem pranoni zoti president, shprehjen e respektit dhe të konsideratës sime më të lartë.