Begaj në Azerbajxhan: Kosova dhe Serbia t’i respektojnë marrëveshjet

07 korrik 2023 | 14:43

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj nga Azerbajxhani është duke zhvilluar vizitë shtetërore me ftesë të homologut të tij, Ilham Aliyev.

Nga atje, Begaj ka thënë se Kosova dhe Serbia të respektojnë marrëveshjet për të cilat janë pajtuar.

Në konferencën e përbashkët me presidentin e Azerbajxhanit, Begaj është shprehur se prosperiteti dhe jokonflikti duhet të jenë busulla e orientimit të mbarëvajtjes bilaterale dhe rajonale.

“Shpreha bindjen se stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor është element i domosdoshëm. Kosova dhe Serbia janë palë negociuese për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje dhe të ndërtimit të një fryme të re bashkëpunimi mes njëri-tjetrit. Respektimi i marrëdhënieve të dakordësuara nga palët si mes tyre dhe në forumet ndërkombëtare duhet të jetë pikë orientimi drejt paqes së qëndrueshme. Prosperiteti dhe jo konflikti duhet të jenë busulla e orientimit të mbarëvajtjes bilaterale dhe rajonale. Sa më shpejt të ndodhë diçka e tillë aq më dobiprurëse do të jetë për popujt tanë”, ka thënë Begaj.

Më tutje, Begaj ka folur edhe për turizmin, me ç’rast u shpreh se Shqipëria dhe Azerbajxhani e shohin këtë sektor si përparësi.

Po ashtu, ai ka thënë se heqja e vizave është një mënyrë për të afruar popujt.

“Së afërmi do të zhvillohet në Shqipëri java kulturore e Azerbajxhanit. Qytetet e Shqipërisë këto muaj mbushen plot turistë nga e gjithë bota. Ndaj, jam i bindur se java kulturore e Azerbajxhanit do të jetë një festë e vërtetë…Meqë, përmenda turizmin, të dy vendet tona e shohin turizmin përparësi, si një sektor tejet i rëndësishëm për ekonominë. Për këtë arsye, thellimi i bashkëpunimit si dhe prania e investimeve azere dhe në drejtimin e turizmit janë të mirëpritura. Heqja e vizave është gjithashtu një mënyrë për të afruar popujt tanë”, ka thënë Begaj.

Ndër të tjera, presidenti shqiptar ka thënë se mendon që ka shumë arsye për të qenë krenarë për shënimin e 30-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Azerbajxhan. Ai ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet vendeve janë më të mira se kurrë ndonjëherë.

Ndërsa presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev është shprehur ndër të tjera se vizita e presidentit shqiptar, Bajram Begajt do të forcojë marrëdhëniet dypalëshe.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova U20 në konkurrencën e meshkujve do të jetë pjesëmarrëse…