Begaj në Malësinë e Madhe: Të vazhdojmë ta promovojmë zhvillimin ekonomik dhe turizmin

05 prill 2024 | 15:30

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë dyditore në Malësinë e Madhe, e cila përkon me 113-vjetorin e kryengritjes së kurorëzuar me ngritjen e flamurit të Skënderbeut në Bratillë të Deçiçit.

Në ditën e parë të kësaj vizite, Begaj ka zhvilluar një bashkëbisedim me figura të spikatura të zonës: studiues, shkrimtarë, gazetarë, aktivistë e drejtues vendorë, me të cilët diskutoi për problematikat, sfidat dhe nismat e zhvillimit të Malësisë së Madhe.

Me këtë rast, Begaj i ka përgëzuar ata për angazhimin me punë të ndershme, shfrytëzimin e pasurive të jashtëzakonshme natyrore, për promovimin e turizmit dhe të vlerave historike e kulturore, si dhe ka premtuar mbështetje të vazhdueshme për adresimin e shqetësimeve të ngritura në takim dhe realizimin e projekteve të Malësisë së Madhe.

“Për mua është shumë me vlerë takimi me qytetarët, dëgjimi i tyre dhe patjetër që të mbaj edhe shënime. Siç tha profesori, i cili foli me mendje dhe zemër, po ju them se sot flas edhe me shpirt, se jam njëri nga ju, pavarësisht detyrës që mbaj. Pavarësisht se çfarë detyrash kemi pasur apo bëjmë, duhet secili nga ne të mendojë për vendin, për të ardhmen e fëmijëve tanë, të cilën duhet t’jua bëjmë më të mirë këtu ku është vendlindja e tyre. Dhe ku më mirë se këtu mund të shprehet kjo gjë, në vendin ku patriotizmi është i jashtëzakonshëm, atdhedashuria po ashtu, bujaria, mikpritja, muzika dhe lahuta, ku kemi liqenin, malin, lumin, kemi gjithçka që ju nevojitet njerëzve për të pasur mirëqenie dhe zhvillim. Patjetër, është shumë e rëndësishme të evidentojmë vlerat historike e kulturore, të cilat na identifikojnë si komb. Ju identifikoheni me lahutën. Lahuta është jona. Është shumë e rëndësishme që ju ta zhvilloni bërjen e lahutës dhe ta trashëgoni atë te brezi i ri. Po kështu, e rëndësishme është edhe një vlerë tjetër e kësaj zone, xhubleta. Me xhubletën kemi arritur të futemi në historinë botërore. Xhubleta dhe dijebërja janë shumë të rëndësishme për t’u mbrojtur e trashëguar, për ta bërë brezin e ri të mendojë se sa rëndësi kanë këto vlera”, ka thënë Begaj.

Më tutje, Begaj ka inkurajuar banorët e Malësisë së Madhe të vijojnë përpjekjet për rritjen e mirëqenies ekonomike dhe promovimin e turizmit.

“Është e rëndësishme të vazhdojmë të promovojmë zhvillimin ekonomik dhe turizmin. Këtu, përveç bujtinave dhe agroturizmit, të lidhura me fushën, ka një pjesë tjetër shumë të rëndësishme, që është e lidhur me malin. Pjesa malore juaja është e rëndësishme për këtë emër që ka fituar Shqipëria. Vazhdoni ta zhvilloni. Patjetër që do të keni edhe ndihmë”, ka thënë Begaj.

Gjatë këtij takimi, Begaj ka vlerësuar edhe banorët e Malësisë së Madhe që janë kthyer nga emigracioni për investime në vendlindje.

“Malësia e Madhe nuk është imune ndaj gjerave që na rrethojnë. Patjetër që ka largim të rinisë dhe emigracion kudo: në Amerikë, Kanada, Angli, e në vende të tjera të BE-së. Ajo që është më e rëndësishme, evidentohet qartë se këta njerëz, pavarësisht se kanë ikur, nuk e kanë harruar vendlindjen e tyre, kanë menduar të bëjnë investime në vendlindjen e tyre, të rikthehen, siç është rasti i futbollistit tonë të Kombëtares, djalë i kësaj treve, që na ka bërë të gjithëve krenarë”, ka thënë Begaj.

Një tjetër çështje, ndaj së cilës Begaj ka kushtuar rëndësi, ishte bashkëpunimi me Malin e Zi dhe faktorin shqiptar atje.

“Patjetër që ne duhet të zhvillojmë marrëdhëniet ndërkufitare. Komuniteti shqiptar atje është faktor i rëndësishëm në stabilitetin dhe shtetformimin e Malit të Zi. Faktori shqiptar asnjëherë nuk e ndërron ëndrrën dhe aspiratën euroatlantike”, ka thënë Begaj. /TVKlan

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga tani e deri në fund të sezonit tifozët e…