![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/04/begaj.jpg)
Begaj niset drejt Amerikës, do të marrë pjesë në punimet e Asamblenë së OKB-së
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj do të niset sot (e diel) për në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA). Ai do të kryesojë delegacionin shtetëror të Shqipërisë, që do të marrë pjesë në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).
Së bashku me kryetarët e shteteve/qeverive të 193 vendeve anëtare të OKB-së, Begaj do të mbajë fjalën, në cilësi kombëtare, në debatin e përgjithshëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, raporton “Abcnews.al”.
Gjithashtu, ai do të marrë pjesë në Forumin e nivelit të lartë politik për zhvillimin e qëndrueshëm, i cili do të mbahet në Nju-Jork, në vigjilje të sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Edhe në këtë forum, presidenti Begaj do të mbajë fjalën, në emër të Shqipërisë, në segmentin e dedikuar të dialogut të udhëheqësve, përkrah kryetarëve të delegacioneve zyrtare të vendeve të tjera,
Begaj gjatë periudhës së qëndrimit në Nju-Jork do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me krerë të tjerë shtetesh dhe zyrtarë të lartë amerikanë, por edhe me përfaqësues të shoqatave të diasporës shqiptare në ShBA.