Begaj premton mbështetje më të madhe për OJQ-të
Në vazhdën e takimeve, të dëgjimeve publike për hartimin e projekteve për vitin 2019, të enjten zyrtarët e Komunës së Malishevës kanë zhvilluar debat me OJQ-të.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në fjalën e tij ka thënë se në vitet e ardhshme do të investojë më shumë në OJQ, me qëllim të integrimit të të rinjve malishevas që të përvetësojnë shkathtësi dhe kompetenca nga projektet që do t’i ofrojnë.
“Ne do t’i mbështesim të gjitha ato OJQ që ofrojnë projekte të cilat ndikojnë në zhvillimin dhe aftësimin e të rinjve për punësim, për vlerat kulturore, sportive, pasi Malisheva ka infrastrukturën e duhur dhe funksionale”, ka thënë kryetari Begaj.
Edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, ka inkurajuar përfaqësuesit e OJQ-ve që të janë më aktiv me projektet e tyre dhe të bashkëpunojnë mes veti.
“Kështu ju do ta vëni në lëvizje edhe më të madhe komunën. Mos pritni që komuna t’ju vë në lëvizje, por ne ju mbështesim në bazë të projekteve që aplikoni”, është shprehur Berisha.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, e ka paraqitur buxhetin e ndarë për Komunën e Malishevës për vitin 2019, me theks të veçantë për investimet kapitale dhe ka kërkuar nga organizatat joqeveritare që përmes propozimeve të tyre dhe komunës t’i orientojnë investimin e 4.3 milionë eurove në projektet më prioritare për qytetarët.
Gjatë debatit OJQ-të e Malishevës kanë kërkuar që të rriten subvencionet me arsyetimin e kërkesave dhe nevojave të tyre për t’i zhvilluar aktivitetet, pasi kostoja e tyre është shumë e lartë.
Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku, ka thënë se kjo kategori për vitin e ardhshëm do të ketë ngritje buxhetore.
/Epoka e re/