Begaj pret në takim Haxhiun, ia rikonfirmon angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve për Kosovën

31 tetor 2024 | 14:00

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur të enjten në takim ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiun.

Gjatë takimit, Begaj ka përshëndetur nismat dhe reformat e reja të ndërmarra nga qeveria e Kosovës, veçanërisht në fushën e drejtësisë si dhe përkushtimin për përputhshmërinë me politikat euroatlantike.

“Është një proces i gjatë dhe aspak i lehtë”, është shprehur Begaj, duke theksuar se kryerja e reformave në interes të qytetarëve përmbush ëndrrën tonë si komb, atë të integrimit në Bashkimin Evropian.

Në takim është theksuar bashkëpunimi i shkëlqyer në mes të institucioneve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.

Begaj ka shprehur edhe rëndësinë e avancimit të këtij bashkëpunimi në projektet strategjike të Portit të Durrësit, Portit të Thatë të Prishtinës dhe lidhjen e tyre me hekurudhën Durrës- Prishtinë që do të na ndërlidhin më shumë.

Kreu i shtetit shqiptar ka nënvizuar se bashkëpunimi mes shqiptarëve ka një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën Euroatlantike të dy vendeve dhe gjithë rajonit si qëllim strategjik.

Më tutje, Begaj ka rikonfirmuar angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve të reja dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, teksa shtoi se është i rëndësishëm hartimi i strategjive të përbashkëta për të prezantuar reformat e ndërmarra dhe progresin e synuar.

“Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë aty për Kosovën”, ka thënë Begaj, i cili ka theksuar se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, pavarësisht çdo tentative dashakeqe që është e destinuar të dështojë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkëshortja e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe nipi i…