Begaj pret presidentin e Austrisë: Mirënjohje për mbështetjen në rrugëtimin drejt BE-së
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, priti sot në një takim Presidentin Federal të Republikës së Austrisë, Alexander Van der Bellen, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Austrisë në rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe sidomos për reformën në drejtësi.
“I përcolla presidentit vlerësimin për gjithë mbështetjen që Austria i ka dhënë Shqipërisë në rrugëtimin evropian, mbështetja ekonomike, politike e mbështetja për reformën në drejtësi. Kjo vizitë është një dëshmi e angazhimit serioz të Austrisë në procesin integrues të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. E sigurova që Shqipëria mbetet dedikuar në të gjitha nivelet për rezultate të reformën në drejtësi”, ka deklaruar mes tjerash Begaj.
Në anën tjetër, Presidenti i Austrisë, Van der Bellen shprehu mbështetjen e Austrisë për Tiranën zyrtare në procesin e integrimit drejt BE-së.
Presidenti e vendosi theksin tek vijimi i reformave që forcojnë shtetin e së drejtës. Ai gjithashtu uroi Prishtinën dhe Beogradin për marrëveshjen e arritur në Ohër për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Jam i lumtur që ftesës për të ardhur në Shqipëri i janë përgjigjur 20 biznese nga Austria që të prezantojnë ekspertizën e tyre në interes të përbashkët. Austria njihet si inkurajues i madh për anëtarësimin e Shqipërisë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Begajn e përgëzova dhe për procesin screening me BE dhe shpresojmë që të hidhen sa më shpejt hapa të mëtejshëm. Sipas metodologjisë së re të zgjerimit, fokusi është te çështjet esenciale si shteti i së drejtës, drejtësia e pavarur dhe duam të inkurajojmë Shqipërinë për të zhvilluar reformat e duhura”, ka thënë ai.
“Jemi shumë të lumtur që Shqipëria do të ketë kryesinë e Procesit të Berlinit këtë vit. Ne i urojmë palëve negociuese për një zgjidhje sa më të shpejtë të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, ka thënë presidenti i Austrisë.