Begaj takohet me gjeneralin amerikan në Tiranë, shpreh mirënjohje për punën e KFOR-it në Kosovë
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur të martën në takim komandantin e komandës supreme të aleatëve në Evropë, gjeneral Christopher G. Cavoli.
Gjatë bisedës me gjeneral Cavolin, Begaj ia ka përcjell atij mirënjohjen për punën e kryer si SACEUR në mbrojtjen kolektive, si edhe për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe përballë sfidave të reja me synim ruajtjen e paqes dhe sigurisë në zonën Euroatlantike dhe në arenën ndërkombëtare.
Presidenti Begaj ka vlerësuar lartë ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme dhe zhvillimin e Forcave të Armatosura shqiptare, rritjen e bashkëpunimit me aleatët e NATO-s, të bazuara në angazhimet e përbashkëta dhe vizionin e vendit tonë për të rritur sigurinë transatlantike dhe për të forcuar stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, presidenti Begaj, ka theksuar gjatë bisedës me gjeneral Cavolin ambiciet e Shqipërisë për të rigjallëruar industrinë e mbrojtjes, nismat dhe investimet e ndërmarra, si edhe ofrimin e Porto Romanos si bazë e NATO-s.
“Bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë është shumë i rëndësishëm dhe e vlerësoj shumë rolin që luan komanda evropiane e ShBA-së në nxitjen e bashkëpunimit tonë dhe mbështetjen e Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, ka thënë Begaj.
Gjatë takimit është biseduar për forcimin e partneritetit strategjik, në një kohë, të cilin presidenti Begaj e ka konsideruar si “të paprecedentë për sigurinë”, duke iu referuar agresionit rus në Ukrainë dhe konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Këto konflikte kanë ndikimin e tyre negativ edhe në Ballkanin Perëndimor, një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën”, ka thënë Begaj, duke shtuar se Shqipëria është e angazhuar në përmbushjen e detyrimeve të Forcave të Armatosura për planin kombëtar të mbrojtjes, atë rajonal të paqes, sigurisë dhe stabilitetit, si dhe mbrojtjes kolektive në përputhje me modelin e forcave të NATO-s.
Një mirënjohje të veçantë presidenti Begaj, ka përcjell për punën e kryer nga KFOR-i në Kosovë, duke shprehur njëherazi mbështetje ndaj këtij misioni për sigurinë në Kosovë dhe rolin si garantues për paqen dhe stabilitetin në rajon.