Begaj takohet me homologun bullgar dhe me ministrin e Jashtëm turk, në fokus Kosova

28 qershor 2023 | 11:28

Në kuadër të pjesëmarrjes në Takimin e Nivelit të Lartë të Procesit të Bashkëpunimit të vendeve të Evropës Juglindore, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar takime dypalëshe me presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, dhe ministrin e Jashtëm të Turqisë, Hakan Fidan.

Në takimin me presidentin e Bullgarisë Radev, presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Bullgarisë, si dhe nënvizoi nevojën e një bashkëpunimi e koordinimi më të mirë në funksion të përmirësimit të infrastrukturës ndërlidhëse rajonale, duke e vënë theksin në mënyrë të veçantë te Korridori 8-të.

Lidhur me këtë të fundit, Begaj vlerësoi rolin e Bullgarisë si vend anëtar i BE-së në mbështetje të projektit.

Të dy bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe mbi zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, për nevojën e mbështetjes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për ndikimin e pasojat e agresionit rus në Ukrainë.

Presidenti Begaj u takua edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Turqisë, Hakan Fidan, me kërkesë të këtij të fundit.

Pasi e uroi për marrjen e detyrës së Ministrit të Jashtëm të një vendi mik, presidenti Begaj vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira të bashkëpunimit e të partneritetit strategjik midis dy vendeve, si dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vyer që Turqia i ka dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, veçanërisht në kapërcimin e pasojave të tërmetit shkatërrimtar në nëntor të vitit 2019, si dhe gjatë periudhës së pandemisë Covid-19.

Në një kohë kur në nëntor të këtij viti Turqia pritet të marrë komandën e KFOR-it në Kosovë, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe te zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Begaj vlerësoi rolin personal të Presidentit Erdogan në ruajtjen e paqes dhe të sigurisë në këtë rajon.

Në mënyrë të veçantë u shkëmbyen mendime edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe për nevojën e vijimit të këtij dialogu, në shërbim jo vetëm të të dy vendeve, por të gjithë rajonit në tërësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas rreth 20 viteve pune të suksesshme të Universitetit të…