Begaj takohet me homologun gjerman, temë edhe Procesi i Berlinit
Begaj takohet me homologun gjerman, temë edhe Procesi i Berlinit
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka zhvilluar vizitë zyrtare në Gjermani me ftesë të homologut të tij, Frank- Walter Steinmeier.
Të dy presidentët ka pasur fillimisht një takim kokë më kokë.
Bashkëpunimi dypalësh, integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, zhvillimet në rajon, zbatimi i agjendës së Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor si dhe çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes ishin në fokus të bisedës në mes të presidentit Begaj dhe presidentit Steinmeier.
Presidenti Begaj, ka falënderuar homologun e tij gjerman për pritjen e rezevuar si një mundësi për vazhdimin e diskutimit të nisur gjatë vizitës së Steinmeier në Tiranë në dhjetor 2022, si edhe për çështje për të cilat është arritur mbështetje dhe mirëkuptim.
Ky takim sipas presidentit Begaj është tregues i bashkëpunimit të shkëlqyer politik midis dy vendeve, si dhe i vëmendjes së vazhdueshme të Gjermanisë mike ndaj Shqipërisë dhe popullit shqiptar.
Presidenti Begaj i ka përcjell Steinmeierit falënderime për kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve dhe partneritetit mes dy vendeve aleate në NATO e që ndajnë vlera të përbashkëta evropiane, raporton “Euronews Albania”.
“Për këtë kontribuojnë edhe shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Gjermani apo bizneset gjermane që janë prezente në Shqipëri”, ka thënë Begaj.
Gjatë këtij takimi, kreu i shtetit shqiptar ka marrë mbështetjen dhe garancinë e plotë që Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe me këtë rast i ka shprehur presidentit Steinmeier vlerësimin e sinqertë për mbështetjen e zëshme politike dhe publike, si dhe asistencën e ndihmën e ofruar në këtë drejtim.
Sa i përket zhvillimeve në rajon Begaj është shprehur se roli dhe angazhimi i Gjermanisë mbetet i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm në mënyrë që sfidat me të cilat po përballet Ballkani Perëndimor të mos ndikojnë apo komprometojnë të ardhmen euroatlantike.
Në këtë kontekst me luftën në Ukrainë dhe ndikimin e aktorëve të tretë Presidenti Shqipërisë Bajram Begaj vlerësoi se duhet bashkëpunim i ngushtë rajonal , ku e ardhmja evropiane do të jetë udhërrëfyesi për të të ardhmen e përbashkët në paqe, siguri dhe prosperitet.
Procesi i Berlinit, sipas Begajt mbetet një mekanizëm inovativ dhe i patjetërsueshëm për forcimin e këtij bashkëpunimit, integrimin ekonomik të rajonit dhe po ashtu integrimin me tregun e vetëm evropian, si dhe një shtysë e fuqishme për procesin e integrimit në BE.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ia ka rikonfirmuar presidentit gjerman përkushtimin e plotë dhe të vazhdueshëm të Shqipërisë për këtë iniciativë dhe angazhimin e Gjermanisë.