Begaj takohet me homologun polak: I kërkova mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur të enjten në Tiranë homologun e tij nga Polonia, Andrzej Duda.
Pas takimit, në një konferencë të përbashkët për medie, Begaj, ka thënë ia ka shprehur “mirënjohjen presidentit Duda për solidaritetin që Polonia dhe populli polak treguan me shqiptarët për kapërcimin e dëmeve të tërmetit shkatërrimtar të nëntorit 2019 dhe gjatë pandemisë Covid-19”.
Më tutje, Begaj ka thënë se “me homologun Duda u ndalëm te bashkëpunimi ekonomik e tregtar, i cili megjithëse ka zhvillime pozitive dhe një kuadër të plotë ligjor, është larg mundësive të dy vendeve”.
“Vlerësuam bashkëpunimin në fushën e turizmit ku një kontribut të madh kanë dhënë lidhjet direkte të fluturimeve mes Polonisë dhe Shqipërisë. Si dy vende anëtare të NATO-s, Shqipëria dhe Polonia kanë bashkëpunim shumë të mirë në fushën e mbrojtjes në nivel strategjik dhe operacional. Vlerësuam gjithashtu bashkëpunim shumë të mirë në fushën e arsimit dhe shkencës si aspekt tjetër i rëndësishëm i marrëdhënieve dypalëshe. Një vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian të Shqipërisë, ku shpreha mirënjohjen për mbështetjen që Polonia i ka dhënë Shqipërisë”, është shprehur Begaj.
Në këtë konferencë për medie, Begaj ka kërkuar nga homologu polak që ta mbështesë anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Vëmendje të veçantë i kushtuam sfidës më të madhe për rendin botëror dhe sistemin e vlerave tona të përbashkëta që po testohen e kërcënohen nga një prej anëtarëve të përhershëm të Këshillit të sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, është shprehur Begaj.