Begaj thotë se Malisheva e menaxhoi mirë situatën me Covid-19
Kuvendi i Komunës së Malishevës ka mbajtur të martën mbledhjen e radhës, e cila është drejtuar nga kryesuesi Rrahim Morina.
Në këtë mbledhje u zhvilluar debat, ku ngritën disa shqetësime, për projektet në infrastrukturën e kanalizimeve, rrugëve, mbeturinave, si dhe në sektorë të natyrave tjera të punëve.
Të gjitha këtyre shqetësimeve iu përgjigj kryetari i komunës, Ragip Begaj dhe drejtuesit e sektorëve, se realizimi i projekteve është realizuar sipas dinamikës së planifikuar dhe kritereve, mirëpo do të punohet edhe në mirëmbajtjen e tyre edhe ne si institucione edhe qytetarët.
Më pas u miratua rendi i mbledhjes me disa pika shtesë, ku debati i këshilltarëve u përqendrua në kornizën afatmesme buxhetore, në raportin e menaxhimit të pandemisë me Covid-19 nga Shtabi Komunal Emergjent dhe Komiteti për Mbrojtje.
Raportin për situatën me Covid-19 e prezantoi kryetari Begaj, ku theksoi se Malisheva me kohë ka aktivizuar Shtabin Emergjent për menaxhim të Covid-19.
Ai ka bërë me dije se Komiteti për Mbrojtje dhe kryetarët e fshatrave ishin në koordinim të plotë institucional me IKSHKP-në, Ministrinë e Shëndetësisë.
“U arrit të kontrollohet situata në të gjitha sferat, që nga përkujdesja për qytetarët që u prekën nga koronavirusi, dezinfektimi i hapësirave publike dhe institucioneve, pajisja me mjete mbrojtëse për ekipin e QKMF-së, pritja e donacioneve dhe shpërndarja e tyre për familjet nevojtare, prandaj falënderoi të gjithë donatorët që ndihmuan Malishevën, qytetarët që zbatuan masat mbrojtëse, bizneset dhe ekipet komunale dhe qendrore, falë këtij angazhimi, pasojat ishin minimale, prandaj edhe në këtë momente, kërkoi të zbatohen rekomandimet e IKSHKP-së dhe MSH-së sepse, virusi ende është prezent”, ka thënë Begaj.
Kurse për kornizën afatmesme buxhetore 2021-2023 ka raportuar drejtori për Buxhet dhe Financa, Valon Mazreku e më pas u debatua nga këshilltarët komunal dhe pastaj u miratua edhe draft-rregullorja për Taksa, Ngarkesa dhe Gjoba komunale për vitin 2020 si dhe u shqyrtuan disa vendime e u miratuan disa raporte të komiteteve.
(Q.R / Epoka e re)