Begolli emërohet trajner i FC Suhareka
Granit Begolli është emëruar kryetrajner i skuadrës së Suharekës në Ligën e Parë të Futbollit të Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar klubi i Suharekës nëpërmjet faqes zyrtare në rrjetet sociale. Begolli së fundmi ishte trajner i Feronikelit ’74, skuadër e cila siguroi inkuadrimin në Superligën e Kosovës.
“Kryetrajner i ri skuadrës sonë do të jetë Granit Begolli, timonieri kampion që me sukseset e tij është shquar vitet e fundit në futbollin e Kosovës, ka arritur marrëveshje duke i besuar projektit tonë drejt inkuadrimit në Superligën e Kosovës. Begolli si futbollist me bagazh të madh, por edhe si trajner, duke drejtuar skuadra si KF Vëllaznimi, KF Liria dhe, së fundmi, kampion me KF Feronikeli ’74, duke i inkuadruar në elitën e futbollit të Kosovës, një punëtor i jashtëzakonshëm me disiplinë të shquar dhe një drejtues teknik i fuqishëm. Ditët në vijim do të kompletohet edhe i gjithë stafi punues që, së bashku me Granitin, do të fillojnë punën me një skuadër të kompletuar. Prezantimi i tij nën emblemën e FC Suhareka do të bëhet ditëve në vijim”, thuhet në njoftimin e FC Suhareka.