BEGRACA – FSHATI I PJERRËT ME NATYRË TË BUKUR E HISTORI TË PASUR
Shkruan: Berat Luzha
Fshati Begracë, për mua vendbanimi më i bukur në botë, shtrihet në një pjerrtësi mes Fushës së Kosovës, maleve të Karadakut dhe Moravës së Epërme. Ndodhet në veriperëndim të maleve të Karadakut dhe në jugperëndim të fushëgropës së Moravës, 12 km nga Kaçaniku, 10 km nga Vitia dhe 15 km nga qyteti i Ferizajt. Me sipërfaqe prej 11.4 km2, Begraca ndodhet në lartësi mbidetare 500 deri 800 metra. Është fshati i i komunës së Kaçanikut, fshat i tipit të shpërndarë me 11 lagje dhe me reliev të përzier malor, kodrinor e fushor. Sipas pozitës gjeografike pjesa më e madhe e Begracës bën pjesë në Moravën e Epërme, një pjesë në malet e Karadakut dhe pjesa tjetër në regjionin e Fushës së Kosovës.
Emri i fshatit përmendet në defterët osmanë të vitit 1451/1452, kur kishte katër shtëpi, pastaj në vitin 1455, kur kishte nëntë shtëpi, në vitin 1468 me 22 shtëpi, në vitin 1554 me 13 shtëpi dhe në vitin 1566 me gjashtë shtëpi. Përmendet se një familje e fshatit ushtronte zejen e vorbëtarit.
Dihet se në sllavisht emri i fshatit është përdorur në formën Bellograce, po edhe në defterët osmanë, si dhe në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të viteve 1893, 1896 dhe 1900 emri i Begracës është shkruar në të njëjtën formë. Belo grad në latinisht e ka kuptimin e kështjellës së bukur, prandaj mund të konstatojmë se emri i fshatit rrjedhë nga latinishtja e jo nga sllavishtja.
Sipas regjistrimit të popullsisë nga pushtuesit serbë, në vitin 1913, Begraca kishte 100 shtëpi me 527 banorë, në vitin 1948 kishte 127 shtëpi me 824 banorë, në vitin 1971 – 177 shtëpi me 1300 banorë, në vitin 1981 – 190 shtëpi me 1550 banorë e në vitin 1999 kishte 231 shtëpi me mbi 2200 banorë. Shumë banorë të Begracës janë shpërngulur në Ferizaj, Kaçanik, Shkup etj., ndërsa 50 vjetët e fundit edhe në emigracion.
Në jug të fshatit dikur kishte një kishë antike ilire. Vendi ku ishte kisha sot njihet me emrat “Guri i Kishës” dhe “Kroni i Kishës”.
Banorët e Begracës kanë bërë rezistencë dhe kanë luftuar kundër çdo pushtuesi. Para rreth 150 viteve një ngjarje historike është zhvilluar në lagjen e Kuçishtës. Një çetë komitësh prej nëntë luftëtarëve, e prirë nga Sallah Luzha dhe vëllai i tij, Musa Luzha, godiste herë pas here njësitë ushtarake osmane në Grykë të Kaçanikut, si dhe tagrambledhësit e nëpunësit tjerë osmanë. Forcat e pushtetit e sulmojnë çetën dhe, pas luftimeve disaditëshe, çeta është tërhequr dhe barrikaduar në kullën e Sallah Luzhës në Kuçishtë. Lufta ka vazhduar edhe dy net e dy ditë, derisa kullës iu vu flaka. Komitët, pasi kanë rezistuar deri në fund, nuk kanë pranuar të dorëzohen, duke u djegur të gjallë brenda kullës. Rapsodi popullor ka kënduar:
Sallah Luzha, synin si filxhani
Lumja nana trim që t’bani,
Në Stamoll të shkoi zani
Me trimni të zu akshami.
Me Lëvizjen Kombëtare, veçanërisht me organizimin dhe pjesëmarrjen në Betejën në Grykë të Kaçanikut, në vitin 1910, Begraca ka qenë e lidhur ngushtë, duke dhënë kontribut të çmueshëm. Për organizim, pjesëmarrje dhe trimëri në luftë janë dalluar Rexhep Luzha, Fetah Toska, Bajram Ali Gashi, Demë Luzha e shumë të tjerë. Pas shtypjes së kryengritjes me gjak e hekur, osmanlinjtë e kanë djegur shkrumb e hi Begracën.
Në muajin tetor të vitit 1912, me disa armë të lëna nga ushtria osmane begracasit i kanë bërë rezistencë edhe depërtimit të pushtuesit serb. Ushtria serbe, që po depërtonte nëpër tokat shqiptare, është hakmarrë ndaj fshatit, duke e djegur fshatin dhe duke vrarë e masakruar 36 burra të Begracës, përfshirë edhe një djalë 14-vjeçar. Gjithashtu, edhe ushtria bullgare gjatë Luftës së Parë Botërore, në vitin 1914, ka vrarë dhe plagosur disa burra të fshatit.
Mes dy luftërave botërore në tokat e Begracës, në pjesën verilindore, Mbretëria SKS kishte vendosur 10 familje kolonësh serbë të sjellë nga Vraja, të cilat pas përfundimit të luftës, në vitin 1999, kanë ikur nga Kosova.
Në Trenaj, një lagje e vogël malore mes Begracës e Stagovës, ushtria serbe i ka pushkatuar të gjithë burrat, ndërsa lagjes ia ka vënë zjarrin. Prej atëherë kjo lagje, e ndodhur në mes të malit, ka mbetur e pabanuar.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore Begraca ka qenë e pushtuar nga tre pushtues; nga viti 1941 deri në vitin 1943 nga Mbretëria Bullgare, dy – tre muaj në vitin 1943 nga Italia fashiste dhe në vitet 1943 – 1944 nga Gjermania naziste. Në tetor të vitit 1944, në luftën e Karadakut, kanë marrë pjesë 19 begracas. Begracasit janë dalluar, si luftëtarë, edhe gjatë luftës çlirimtare të UÇK-së në vitet 1998 – 1999. Në kuadër të brigadës 162 “Agim Bajrami” ka vepruar togu i luftëtarëve të Begracës.
Në luftën e fundit fshati i kishte shpëtuar mësymjeve të forcave serbe, por jashtë fshatit kanë pësuar me jetë dy banorë, ndërsa në luftime me forcat serbe në Kaçanik ka rënë dëshmor Kadri Trena. Mbi 85 për qind e popullsisë së fshatit janë shpërngulur, si refugjatë të luftës në R. e Maqedonisë.
Begraca është fshat bujqësor – blegtoral, e pasur me tokë të punës, me pyje dhe livadhe. Nëpër Begracë përshkon vija ujëndarëse e Pellgut të Detit Egje dhe e Detit të Zi. Ujërat e këtij fshati derdhen në Detin e Zi përmes Moravës e Danubit dhe në Detin Egje përmes Neredimes, Lepencit e Vardarit.
Shkolla e parë 4-vjeçare është hapur në Begracë në vitin 1945 me mësuesin Ilia Lakrori, nga Devolli, rrethi i Korçës. Shkolla është vendosur në objektin e ish-mejtepit të para LDB, ndërsa në vitin 1964 është ndërtuar, me vetëkontribut, shkolla e re. Në vitin 1995 shkolla është pavarësuar si shkollë e plotë fillore 8-klasëshe, ndërsa sot shkolla 9-klasëshe e Begracës, me emrin “7 Shtatori”, e ndërtuar në vitin 2010, e hijeshon fshatin. Shkolla ka mësonjëtore të mjaftueshme, kabinete e sallë të edukatës fizike, për çka janë krijuar kushtet më të mira për zhvillimin e procesit mësimor.
Sipas burimeve historike, rruga që përshkon Begracën përmendet qysh nga kohët e hershme, si rrugë transversale. Fillonte në Therandë (Prizeren), e përshkonte Sharrin nëpër luginat e Bistricës dhe Lepencit, binte në jugun e Fushës së Kosovës, vazhdonte nëpër Begracë dhe përshkonte fushëgropën e Moravës për të përfunduar në Bujanoc. Rreth 150 vjet më parë këtë rrugë e kishin rindërtuar edhe osmanët, për ta lidhur Moravën me Kaçanikun e Shkupin. Rruga Te Pompa – Fushë e Pajtimit, e gjatë 8.6 km, është ndërtuar në vitin 2004 dhe është kategorizuar si rrugë regjionale. Gjithashtu, edhe rruga tjetër regjionale Gurëz – Viti përshkon nëpër territorin e Begracës, rreth të cilës janë hapur biznese të shumta.
Të 25 vjetët e lirisë Begraca ka ndërtuar objektet publike dhe infrastrukturore, siç janë rrugët me trotuar e ndriçim, rrjeti elektrik, shkolla e re me sallë të edukatës fizike, xhamia, ujësjellësi, kanalizimi.
Ky është fshati im, një fshat i veçantë, shumë i bukur, i shtrirë në një natyrë të shëndoshë dhe në pozitë të mirë gjeografike; në kodra, rrëzë malit e në krye të fushës.