Bëhen gati 60 pikat e vaksinimit për Covid-19 në Shqipëri

07 janar 2021 | 22:58

Këto janë 60 pikat ku do të kryhet vaksinimi kundër koronavirusit në ambientet e stadiumit Air Albania. Brenda Janarit pritet të nis vaksinimi antiCovid për 5 mijë personat e parë. Përgjegjësja e programit kombëtar të vaksinimit, Erida Nelaj sqaron në një intervistë për Tv Klan se cilët do të jenë të parët që do të marrin dozat e vaksinës së Pfizer.

“Do të kemi 10 mijë dozat e para dhe planifikojmë vaksinimin e 5 mijë personave të cilët pas 21 ditësh duhet të rikthehen për dozën e dytë. Ne kemi numrin e të gjithë personelit të vijës së parë që është 4 mijë veta, pjesa tjetër do të jenë të moshuarit që jetojnë në shtëpinë e të moshuar e së bashku me stafin”.

Minimumi 300 persona pritet të vaksinohen brenda ditës.

“Personeli shëndetësor është tashmë i listuar ato të vijës së parë të spitaleve Covid dhe do të vijë në orare të caktuara jo të gjithë njëkohësisht me ditë të caktuara. Ne do të kemi 60 pika vaksinimi dhe të paktën është minimi 5 persona për një pikë pasi një flakon vaksinon 5-6 persona”.

Por si do të kryhet procedura e vaksinimit ?

“Personeli shëndetësor i cili do të vijë në ambientet e brendshme të stadiumit Air Albania, fillimisht do të kalojë në një nga stacionet kryesore të vaksinimit ku do të pritet nga mjekët ose koordinatorët. Pasi ka mbërritur në stacionin e vaksinimit dhe është pritur nga mjekët, personeli shëndetësor që do të vaksinohet, njëri do të qëndrojë në karrigen para vaksinimit dhe tjetri ne pjesën tjetër të stolave. Pasi ka përfunduar vaksinimin atëherë do të zhvendoset në pjesën tjetër të karrigeve, pas vaksinimit, i cili do të qëndrojë për afro 30 minuta për të parë efektet anësore nëse vaksina do të ketë mbi këtë person. Vaksina do të ruhet në nivele qendrore në frigorifer -80 gradë dhe në pikat e vaksinimit do të shkojë në numër të reduktuar në varësi të personave që do të vaksinohen në ditë”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instrumentarja e Klinikës së Oftalmologjisë Luljeta Statovci ka humbur jetën…