Bëhen përgatitjet për mbajtjen e provimit të maturës
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka marrë pjesë në takimin me komisionerët e testit të Maturës Shtetërore 2018 (afati i gushtit), të organizuar nga Komisioni i Shtetëror i Maturës.
Me këtë rast, ministri Bytyqi është shprehur se, tashmë janë bërë përgatitjet e duhura dhe kërkoj nga të gjithë të angazhuarit në këtë proces që të kryejnë detyrën me përgjegjësi, ashtu që çdo gjë të shkojë mbarë.
Ministri Bytyqi, kërkoi nga komisionerët e pranishëm që të minimizojnë lëshimet eventuale që kanë ndodhur në afatin e parë të provimit.
Ministri Bytyqi ka theksuar nevojën e respektimit me rigorozitet të akteve ligjore, vendimit dhe udhëzimit administrativ lidhur me mbarëvajtjen e testit të maturës shtetërore, duke shtuar se dëshiron që të kemi rezultate reale dhe të besueshme.
Në këtë takim po ashtu u tha se, nxënësve nuk do t‘u lejohet hyrja me telefon në Qendrën e Testimit, ndërsa prindërve u është bërë thirrje që të mos lejojnë fëmijët të marrin telefona, pasi do të përjashtohen nga testi edhe nëse nuk i përdorin.
Telefonat nuk do të lejohet që të përdoren edhe nga administratorët.
Maturantët e mbetur për afatin e dytë të maturës, do t’i nënshtrohen provimit më 28 gusht, në orën 10:00 (pjesa e parë) dhe më 1 shtator (pjesa e dytë).
Për mbarëvajtjen e këtij testi, MAShT-i ka angazhuar dhe trajnuar 93 komisionerë.
Janë caktuar edhe 630 administratorë dhe 105 mbikëqyrës.
Provimin e kanë paraqitur 7896 kandidatë.
/Epoka e re/