Bëhen përgatitjet për shënimin e 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë me dije se për nderë të 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kjo komunë do të organizojë aktivitetet të ndryshme kulturore dhe sportive.
“34 vite para themelimit të Shqipërisë dhe 130 para pavarësimit të Kosovës, në Prizren është bërë përpjekja e parë e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar nga Perandoria Osmane. Në qytetin tonë prej vitit 1878 deri në vitin 1881 ka vepruar qeveria e parë shqiptare në krye me Ymer Prizrenin. Në jubileun e 140 të kësaj ngjarjeje që cilësohet si momenti i lindjes së kombit tonë, Komuna do të organizojë ngjarje të ndryshme kulturore dhe sportive”, ka thënë Haskuka.
Ai ka deklaruar se prej 10 deri më 15 qershor në Prizren do të përforcojnë artistë nga të gjitha trojet shqiptare, në mënyrë që nëpërmes kësaj ngjarjeje madhore të shfaqin vlerat më të çmuara të kombit tonë.
“Gjatë këtyre ditëve do të bëhet edhe rivarrimi i eshtrave të prijësit të Lidhjes, Ymer Prizrenit, i cili ka qenë i varrosur në Ulqin. Në muajin qershor (ditën e 12), është edhe dita e çlirimit të qytetit tonë dhe me këtë rast ftojmë të gjithë bashkatdhetarët tanë në kryeqytetin historik shqiptar, në Prizren, që të bashkëngjiten festës jubilare. Ditët në vazhdim do të publikohet programi nga Këshilli Organizativ”, ka thënë Haskuka.
/Epoka e re/