Bëhet pagesa për përfituesit e skemës së ndihmës sociale
Ministria e Financave dhe Transfereve ka njoftuar se nga sot disa ditë para afatit të zakonshëm, ka bërë pagesën e skemës së ndihmës/asistencës sociale për të gjithë përfituesit e saj, përkatësisht për 24 967 familje.
“Gjithashtu, ju njoftojmë se në zbatim të pakos emergjente (pika 1.1) si dhe vendimit të Ministrit të Financave dhe Transfereve (Nr. 38/2020), përfituesit e skemës së ndihmës sociale marrin pagesë të dyfishtë edhe për muajin prill 2020, duke bërë që vlera totale e pagesës së dyfishtë për këtë muaj të jetë 5,251,027.50 euro”, ka njoftuar Ministria e Financave dhe Transfereve.
Kjo ministri ka bërë kërkesë që përfituesit të kenë kujdes të shtuar dhe ndjekin këto udhëzime shtesë, për të ruajtur shëndetin tuaj, luteni që:
-Tërheqja e mjeteve të bëhet në vijimësi dhe në kohë kur nuk ka shumë vizita apo lëvizje, në mënyrë që të parandalohet shpërndarja e corona virusit; apo
-Të shtyni tërheqjen në ditët në vijim për aq sa është e mundur, pasi që zyrat postare dhe degët bankare janë të furnizuara mirë me para të gatshme dhe secili do të ketë mundësi të bëjë tërheqjen.