Bëhet prezantimi i projektit për ndërtimin e shkollave në kryeqytet
Në Komunën e Prishtinës të martën është bërë prezantimi i projektit për ndërtimin e shkollave me Private Finance Initiative (PFI).
Kompanitë e interesuara janë informuar për projektin në përgjithësim, funksionimin e atyre shkollave, termat e projektit dhe ndarjen e rreziqeve.
Po ashtu ato janë informuar për projektet konceptuale, kërkesat e projektimit dhe ndërtimit, shërbimet dhe kërkesat e mirëmbajtës; si dhe për fazat deri në realizimin e projektit.
Korporata Financiare Ndërkombëtare (IFC) është mandatuar nga Komuna e Prishtinës si këshilltari kryesor i transaksionit.
IFC-ja do të punojë në strukturimin e transaksionit me Partneritet Publiko-Privat, dhe do ta ndihmojë Komunën e Prishtinës në ekzekutimin e një procesi të hapur, transparent dhe konkurrues të ofertimit për përzgjedhjen e investitorit privat.
Gjatë muajve nëntor dhe dhjetor të këtij viti do të bëhet promovimi dhe strukturimi i transaksionit, përderisa në janar të vitit 2019 do të hyjnë në procesin e parakualifikimit.
Fillimi i procedurave tenderuese do të bëhet në shkurt të vitit 2019, kurse nënshkrimi i kontratës me kompaninë fituese parashihet të bëhet në muajin maj të po këtij viti.