Behgjet Pacolli: Me koalicionin AKR-Nisma-PD, Kosova shënon rritje ekonomike 8%
Në praninë e mijëra qytetarëve, koalicioni Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë ka hapur fushatën elektorale për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit.
Gjatë këtij tubimi, presidenti i subjektit AKR, Behgjet Pacolli iu drejtua të pranishmëve me një mesazh të fuqishëm që shpalos vizionin e koalicionit NISMA-AKR-PD.
Ai nder të tjerash tha se me qeverisjen NISMA-AKR-PD vendi do të ketë 8 % rritje ekonomike dhe 60 mijë vende të reja pune.
“Pas 6 tetorit ne do të sigurojmë qeveri të ndershme dhe me prosperitet. Buxheti i Kosovës do të jetë zhvillimor dhe jo vetëm për shpenzim. Synojmë të kemi rritje ekonomike prej 8% dhe mbi 60 mijë vende të reja pune në sektorin ekonomik”, u shpreh Pacolli.
Ai me këtë mesazh drejtuar të pranishmëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, konfirmoi se vendi ynë ka mbështjetjen e SHBA-së dhe tha se synim i AKR-s është që Kosova të jetë anëtare e organizatave të mëdha botërore.
“Koalicioni ynë do të luaj rolin vendimtar në qeverinë e ardhshme. Qeveri kjo që do të ketë mirësi të përhershme me SHBA-të dhe Perëndimin. Ne do të synojmë që ta bëjmë Kosovën anëtare të NATO-s, OKB-së dhe organizatave të tjera vitale. Ne do ta ruajmë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës dhe kjo do të arrihet duke pasur lidhje të qëndrueshme me SHBA-të dhe Perëndimin” tha presidenti Pacolli.
/Epoka e re/