Behram Hoti, atdhetar i devotshëm
Shkruan: Prof. Nexhat Mustafë Ballanca-Dibra
Me rastin e 55-vjetorit të veprimtarisë atdhetare të poetit, prozatorit, romansierit, publicistit, kronikut mr. Behram Hotit (4)
Sot Likoci qëndron legjendar në bazamentin e fortë të etnoqëndresës kombëtare shqiptare, qëndron me eshtrat e stërgjyshërve, gjyshërve, nipave dhe mbesave të heroikës së lavdishme të Drenicës dhe të gjithë shqiptarisë. Likoci qëndron faqebardhë në përvjetorë me varret e dëshmorëve të martirëve, Likoci është Termopile e heroikës dhe e krenarisë kombëtare shqiptare.
Ky është Likoci i shtabit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Likoci i Spitalit të Parë Ushtarakë të UÇK-së, Likoci i Kompanisë së parë të sokoleshave të para e mantelbardhëve të parë të UÇK-së, Likoci i policisë së parë Ushtarake të UÇK-së me kryekomandantin Sahit Jasharin, Likoci i ushtarakëve të parë, i kazermës së parë të ushtarakëve shqiptarë të UÇK-së në krye me Xhevë Lladrovcin, Likoci i plagëve të shëruara të Mujë Krasniqit – Kapuçit, Sabit Gecit, Likoci i kryekomandantit të parë të UÇK-së Sylejman Selimit – Sulltani, Sokol Bashotës, Rexhep Selimit, Musa Jasharit, Hysni Shabanit, Halil Zhabotës, Fehmi Lladrovcit, Iljaz Dërgutit, Jahir Demakut, Fehmi Lladrovcit, Bislim Zyrapit, Shaban Shalës, Likoci i bukës, i besës, i natës dhe i ditës së kryekomandantit legjendar Adem Jasharit, Hamëz Jasharit dhe dajës Osman Gecit. Likoci i betejave, Likoci i pamposhtur, Likoci i tankeve serbe të shkatërruara, Likoci diellor i shumë rezeve të shpërndara dhe të ndritura në të gjitha zonat operative të UÇK-së, Likoci i Akademisë së parë Ushtarake, Likoci i dëshmorëve të lirisë kombëtare…
Edhe Armata Popullore e Jugosllavisë ishte e rënduar e zhytur në tërësi në lloçin enacionalizmit, shovinizmit gjakpirës ndaj shqiptarëve. Oficerët ushtarakë zbuluan edhe një marifet vdekjeprurës: Vrisnin ushtarët shqiptarë ashtu sikur gjoja janë vrarë gjatë kryerjes së detyrës apo aksidentalisht. I kthenin në kufoma me sandëkë të plumbosur. Kur familjarët hapnin këto sandëkë shihnin tmerr në to: ushtarët ktheheshin të copëtuar nga thikat e bajonetat apo të bërë shoshë me plumba! Për një rast të tillë edhe e ka shkruar në kronikën nëna tha: “Lavdia është e përjetshme, kur vjen djali drenicas i vdekur”. Mblidhen burrat nga anekënd shqiptarisë të varrosin djalin e tyre. Nëna e djalit e merr në ngrykë popullin. Qëndron. Dhe, drejt në sy e shikon poetin Syshi. E, i thotë: Mos ma vajto djalin!… Këndo këngën Dëshmorit!… E mbajnë fort nënën dhe e ngushëllojnë bijtë e bijat nga të gjitha trevat shqiptare. Kjo rrënja e gjakut tonë, denbabaden, vdekjen e ka bërë si e ka shqiptari zakon. Behrami shkrimin e përfundon me fjalët: “Vetëvrasja nuk është vdekja e shqiptarit. Vdekja është e hidhur, por Lavdia është e përjetshme …
Edhe reportazhi vijues i tij “Nuk është hera e parë që na vrasin…” (gazeta Fakti, Shkup, 13. 2. 1999, f. 10.), flet për dy të ngujuar në Nekovc. Është gjithsesi rrëqethës. Personazhe të këtij reportazhi janë vëlla e motër të cilët, gjatë bombardimeve e shkatërrimit sllavo-serbo-komunist të katundit Nekoc të Drenicës, kanë mbetur të ngujuar nën shtëpinë e tyre të djegur. Por ata, së fundi, i shpëtuan forcat çlirimtare të UÇK-së.
Në Kosovë nuk ka familje shqiptare, ku një ose më shumë anëtarë të familjes nuk i është nënshtruar sjelljes përulëse mizore, ndëshkimit fizik, psikik e moral dhe torturave të llojeve të ndryshme, duke përfshirë edhe format më të rënda të torturave…Dhe e tërë kjo, dhuna dhe terrori shtetëror, është bërë e me qëllim e është realizuar me anë të njësive policore, ushtarake dhe paramilitare serbe.
“Kështu shqiptarët rrahën, plagosen dhe vriten shpesh vetëm pse janë shqiptarë, përkatësisht vetëm pse i përkasin kombit shqiptar”. Ky terror solli që lufta të përfshijë (asokohe) më tepër se gjysmën e territorit të Kosovës, në të cilin konflikt të armatosur shqiptarët mbrojnë vendin, familjen, popullin dhe nderin e vet. Kështu në Kosovë prej janarit të vitit 1998 e deri më 14 shtator 1998, u vranë 1 169 veta, ndër të cilët më se paku ushtarë të UÇK-së.
Me këtë intervistë, e cila vazhdon më tej, Behram Hoti ka njoftuar opinionin për atë se çfarë ndodhur me të vërtetë në Kosovë. E kjo ishte meritë më e madhe, se lapsi i tij u bë më i madh dhe më i vlefshëm se pushka e tij. Të mbledhim mend e të mos pësojmë si gjarpri me dy krena…
Një intervistë tejet interesante Behram Hoti ka bërë me mjekun dr. Fadil Bekën. Ky ka qenë mjeku e kirurgu i parë specialist i kirurgjisë së UÇK-së. Kjo nuk është vetëm intervistë por edhe portretizim i bukur i personalitetit të dr. Fadil Bekës. Vetë titulli i punimit tregon se me krenari ka thënë se ka pasur fatin të jetë me popullin (shqiptar të Kosovës) dhe me ushtarët e tij (trima të UÇK-së). Pata nderin të shëroj trimat dhe martirët e shumtë të UÇK-së, Sabit Geci dhe Mujë Krasniqi (Kapuçi). Dr. Fadili ka qenë themeluesi i Spitalit të parë ushtarak në Likoc dhe nismëtar i ngritjes së 25 ambulancave në Zonën Operative të Drenicës, si edhe të Spitaleve ushtarake në Zonat Operative të tjera të UÇK-së. Përmes kësaj interviste autori portretizoi mjekun (e parë) të UÇK-së si një personalitet tejet të vlefshëm për luftën tonë për liri e pavarësi.
Një intervistë tjetër z. Hoti zhvilloi me shkrimtarin, publicistin dhe veprimtarin e dalluar drenicas Bedri Tahirin, autorin e kronologjisë historike të atdhetarëve, heronjve kombëtarë si dhe veprave të tjera.
Për botimin e punimeve të veta, duke shëtitë nga gazeta në gazetë dhe nga revista në revistë, tash i erdhi radha edhe Viktorisë, ku Behram Hoti botoi reportazhin shumë të bukur Bunari i Canajve, në të cilin bëhet fjalë për nevojën jetësore e kohore të njerëzve – ujit, kësaj radhe të lagjes apo mëhallës së Canajve.
Canajt nuk kishin ujë dhe për këtë ishin të detyruar ta merrnin nëpër lagje të tjera apo diku më larg se katundi i tyre. Kështu vendosën të hapin një bunar (pus). Dhe pas njëzet e tetë ditë, disa burra, punuan e rrëmihën pandërprerë gjersa hasën në ujin, pjesë kjo e ekzistencës së tyre. Në reportazh, sikur të ishte kjo një prozë poetike, në mënyrë të jashtëzakonshme përshkruhen personazhet, vuajtjet dhe krenaria e tyre që lagjes së tyre do t’i japin një bunar, do t’i japin ujë.
Gazeta Rilindja, ka qenë si sofër e shtruar për gazetarët në kohën e luftës. Gazetarët e shkrimtarët kanë ofruar shkrime të cilat kjo gazetë me dashurinë më të madhe i ka botuar, gjerë në mbylljen e saj. Me rëndësi të posaçme vlerësoj shkrimin e Behramit “Gjaku i Isës” mbuloi trupat e luftëtarëve. Nuk di si ta emërtoj shkrimin: Intervistë, reportazh, kronikë, skicë apo portret. Një gjë e di me siguri se ka prej të gjithave nga pak. Por ajo që ky shkrim ka me bollëk është trimëria e pamasë e treguar e Isa Kastrati, që gjatë luftimeve të ashpra e të përgjakshme, duke tërhequr dy shokë të lënduar për t’i dërguar në spitalin ushtarak, bien në luftën me sllavoçetnikët. Gjaku i tij mbuloi shokët. Isa ndërroi jetë. Kam dëgjuar shpesh ndër burra një thënie të bukur se vaji i burrit është kënga. Po mu kështu Behram Hoti ka titulluar një reportazh të vetin, të shkruar në Zvicër.
Ai thotë se “Kurbetqarët kanë shumë ngrica në zemër, kanë shumë akuj ndër vetulla, kanë shumë shtreze në buzët e tyre të mërdhezura…” dhe prapëseprapë këndojnë. “Po vaji i burrit është kënga”, thotë Behram Hoti. Po prapëseprapë këndonin shqiptarët edhe në kurbet pasi “kështu kalonin edhe muajt edhe vitet, duke punuar, me mall të shkrirë në zemër, për nënën tonë Kosovë:. Më tutje, në shkrimin e tij, tregon për një aksident ku dy shqiptarë, dy djem të rinj, vdiqën aksidentalisht të Gjenevë. Ra heshtja për shkak të dhimbjes. Po shkrimtari, sërish flet: “Pse heshtni. Pse nuk flisni, ju djelmosha? Ju jeni kënga dhe vaji ynë historik …”.
Skica, portrete
Që në vitin 1965 Behram Hoti nisi të shkruajë, të gdhendë apo skalisë portrete. Janë këto portrete që s’i harron dot lehtë. Njëri prej tyre është ai i mburrjes për klasën… Sherife Mehmetit. Ajo është pesëmbëdhjetë vjeç, nxënëse e vitit të dytë të Shkollës teknike në Prishtinë, në sektorin e makinerisë. E kanë zgjedhë sekretare të aktivit të bashkësisë së klasës. Me punën e vet ka ndihmuar më të dobëtit që klasën ta kalojnë me sukses, kurse vetë i ka pasur notat shumë të mira dhe të shkëlqyeshme. Me pak fjalë është ky portret i bukur i një vajze të zellshme, punëtore e shembullore. Ky punim, për nga vëllimi, është tejet i vogël, i shkurtër, por konciz, i ngjeshur dhe i rrumbullakuar. Me një fjalë i bërë me sukses.
Nuk do ta ndalin hapin tim! As këngën time …
Isa Demaj
Për atdhetarin e intelektualin Isa Demaj, Behram Hoti ka dhënë portretin e tij (edhe në vazhdime) në Bujku. Si hyrje për prejardhjen burrërore atdhetare të Isës, ai jep dhe një përshkrim të thukët të trimave të malësisë së Rugovës dhe atyre të Mbishkodrës, prej nga ky hero e ka prejardhjen, që kohë më parë kanë pasur luftuar për rruajtjen e trojeve shqiptare, veçmas nga serbo-sllavët dhe malazezët. Shkollën e mori në Pejë dhe Prizren (atë të Lartë Pedagogjike), ku mori edhe pjekjet e para atdhetare dhe të idealit. Festimi i festës së flamurit, datë 27 nëntor 1967, ishte pikë kthese në atdhetarinë e tij. Së bashku me Zymer Nezirin e Meriman Brahën arrestohen e burgosen, torturohen në mënyrë mizore në burgun e qytetit të Prizrenit.
I qëndruan stoikisht torturave falë idealeve të fituara nga mësuesi, atdhetari Fazli Grajçevci. Isa ishte pjesëtar i demonstratave të vitit 1968 nëpër disa qytete të Kosovës, arsimtar në vendlindje dhe profesor në Klinë. Pushteti e largon nga mësimi si nacionalist, irredentist, separatist. Si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe pranë qendrës teknike në Obiliq dha një kontribut të pashoq e shembullor. Më vonë kaloi në Shkollën e mesme teknike në Prishtinë. Duke parë aftësitë e tija shembullore shteti ia ndërpreu marrëdhënien e punës dhe e largoi nga arsimi. Vitet e kaluara në arsim pranë kësaj shkolle ishin përplot atdhetarizëm.
Derisa zhvillonte mësimin në klasën e katërtë të Shkollës së mesme të mjekësisë në Prishtinë ai rrëmbehet nga agjentët e policisë sekrete (apo të sigurimit të shtetit, UDB-së) të ish-Jugosllavisë titiste-komuniste. Së bashku me të tjerë dënohet si grup ku iu nda dënimi prej katër vitesh burgimi. Tragjikisht humbi jetën në vitin 1985. Isa Demaj, nga Behram Hoti përshkruhet si shembull dritëdhënës, atdhetar i devotshëm, organizator i dalluar, kandil që nuk fiket kurrë! Ishte vizionar kombëtar, i pajisur me frymën atdhetare e liridashëse. Ata që e njohën dhe që luftuan krah me të kanë dhanë vlerësime tejet të rralla pozitive. Thënë si përfundim, ishte ky një portret i rrallë skalitur kështu bukur nga Behram Hoti. Isa Demaj e ka merituar. Në këtë jetë ekziston vetëm një e vërtetë: pavarësia dhe bashkimi kombëtar.
Ragip Veseli
Behram Hoti jep një njoftim për vdekjen dhe varrimin e arsimtarit dhe veprimtarit të dalluar Ragip Veseli. Për këtë personalitet, z. Behrami shkruan se ka qenë pedagog i devotshëm, pjesëmarrës i dalluar i demonstrative 1968-81, nënkryetari parë i PNDSH-së, e që vdiq nga një sëmundje e rëndë me ditar në dorë pranë Shkollës së mesme teknike “Arkitekt Sinani” në Mitrovicë. Shkrimi është fjalëpakë e kuptimplotë. Sa shumë ngjarje, sa shumë shqetësime vetëm në një udhë: për dije, dritë, kulturë.
Behram Hoti për Sylejman Drinin
Në formën e kronikës Behram Hoti shkroi edhe një skicë për portret atdhetari të profesor Sylejman Drinit. Profesor Sylejmani ka qenë drejtor i shkollës “Bajram Curri në Prizren, pedagogu i kursit të parë pedagogjik në Prishtinë dhe shumë posteve të tjera, detyra këto ndër më të rëndësishmet të kohës. (Vijon)