Behramaj: Gërvalla po krenohet me deponimin e shkarravinave politike kundër themeluesve të UÇK-së
Adil Behramaj, ish-këshilltari i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, e ka quajtur “përbaltëse politike”, ministren e Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministren e parë të vendit, Donika Gërvallen.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Behramaj ka komentuar deklaratën e saj rreth ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
“Në vend që kryediplomatja të reflektonte, ajo edhe si qeveritare konfirmoi se krenohet me deponimin e shkarravinave politike kundër themeluesve të UÇK-së. Madje, paska treguar zell të madh për ta vazhduar përbaltjen edhe nga pozita e njeriut të dytë të Qeverisë së Kosovës. Pa kërkuar asnjëherë drejtësi për mbi 400 masakra të Serbisë mbi popullsinë shqiptare, si kryediplomate ajo po i legjitimon pretendimet serbe për të ashtuquajturat “krime të shqiptarëve”, ka shkruar Behramaj.
Tutje në postimin e tij ish-këshilltari i Thaçit ka shkruar se Gërvalla nuk të ruaj as nderin e paraardhësve të saj dhe se ajo nuk mund të jetë kryediplomate e Kosovës.
“Kjo përbaltëse politike, e cila as nderin e paraardhësve të saj nuk është në gjendje ta ruajë, na paska folur edhe për nderin! Nuk mund të jetë kryediplomate e jona dikush që është në linjë të plotë me propagandën serbe! Nuk mund të jetë kryediplomate e jona as ajo që Kosovën e cilëson si të turpshme!”, ka përfunduar Behramaj.
Gërvalla sot përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se asnjëherë nuk do të ndalojë së kërkuari drejtësi për gjithë viktimat në Kosovë.
Këtë deklaratë ajo e dha pas reagimeve ku thuhet se Gërvalla ka thënë se do të dërgojë materiale në Speciale sapo të formohet kjo gjykatë.
Gërvalla ka shkruar se heshtja nuk e nderon askënd, teksa tha se vetëm me guxim dhe me punë, Kosovës mund t’i kthehet faqja e bardhë.
“Asnjëherë nuk do të pushoj së kërkuari drejtësi për të gjitha viktimat në Kosovë, pa marrë parasysh përkatësinë politike, gjininë, kombësinë apo funksionin e viktimave dhe autorëve të krimit. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë jo vetëm për viktimat, por edhe për gjeneratat që vijnë. Heshtja qyqare nuk e nderon asnjërin prej nesh”, ka shkruar ajo.