Behrami: Do të luaj përsëri në Itali
Valon Behrami është një nga futbollistët më të vlerësuar në futbollin italian pasi për shumë vite ka shkëlqyer në Serinë A. Mesfushori nga Kosova u transferua te Sioni në kampionatin zviceran, por në tetor shkëputi kontratën me këtë klub dhe tani është futbollist i lirë.
34-vjeçari ka paralajmëruar rikthimin në futbollin italian, pasi edhe familja e tij jeton në Bergamo.
“Do të luaj përsëri në Itali. Familja ime jeton këtu, vajzat e mia janë në Bergamo dhe dua të jem afër tyre. Përvojat jashtë më kanë ndihmuar shumë, por Italia gjithmonë do të mbetet shtëpia ime”, ka thënë Behrami për mediat italiane.
Ish-reprezentuesi i Zvicrës ka thënë se është duke e pritur ofertën e duhur para se të vendosë për ndonjë skuadër. “Jam duke pritur lajme të reja rreth transferimeve. Do të luaj në Serinë A ose Serinë B. Me rëndësi që të jetë oferta e mirë dhe projekti serioz që të ndihem përsëri profesionist”, ka shtuar ai. Ascoli e Livorno e duan Behramin në Serinë B, ndërsa Udinese e Spal në A.