Behrami: Gjykata Speciale po krijon vonesa artificiale në procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së
Ish-këshilltari i Hashim Thaçit, Artan Behrami, ka reaguar në lidhje me dinamikën e procesit gjyqësor ndaj liderëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.
Ai ka thënë se Gjykata Speciale është duke krijuar vonesa artificiale në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqi.
Në këtë kontekst, Behrami ka thënë se transparenca është armiku më i madh i Gjykatës Speciale.
“Dhomat e Specializuara për rishkrimin e historisë së Kosovës po vazhdojnë të krijojnë vonesa artificiale në procesin gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së.
Në muajin prill janë intervistuar vetëm 3 dëshmitarë nga mbi 300 sa janë paralajmëruar nga prokuroria. Me këtë dinamikë, procesi gjyqësor kundër krerëve të UÇK-së do të zgjasë 9 vjet! Ata kanë thirr ‘dëshmitarë’ pa emra dhe pa zë, larg syve të qytetarëve, duke ua ushqyer thashethemen, dezinformatat, mbi të cilat kjo gjykatë është krijuar! Ata janë të vetëdijshëm që transparenca është armiku më i madh i gënjeshtrave, rrjedhimisht armiku më i madh i kësaj gjykate! Në mungesë të fakteve, dëshmive ata po investojnë në një proces të pafund dhe jo transparent”, ka shkruar Behrami në “Facebook”.