Behrami: Leao paguhet si kampion, por nuk është i tillë
Te Milani vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes çështja e lënies në stol të Rafael Leaos në ndeshjen e madhe ndaj Napolit, të cilën kuqezinjtë e humbën 2-0. Paulo Fonseca zgjodhi ta linte bashkëkombësin jashtë formacionit nismëtar dhe ta aktivizonte gjatë lojës, me ish-lojtarin e Sportingut dhe Lilles që u përpoq “ta minonte” mbrojtjen napolitane me disa inkursione të shpejta, të cilat vunë në alarm Di Lorenzon.
Kapiteni i Napolit mori masa më pas, duke shmangur rreziqe të reja dhe neutralizuar kundërshtarin. Në orët në vijim të ndeshjes së vlefshme për javën e 10-të të Serisë A, shumë vazhdojnë të reflektojmë mbi vlerën e Rafael Leaos.
Një temë që ndan opinionin publik sportiv në Itali. “Ai nuk është kampion”. Kështu ka thënë në studiot e “DAZN” ish-mesfushori Valon Behrami, duke shpjeguar tezën e tij: “Ne duhet ta përcaktojmë saktë fjalën kampion. Leao nuk është i tillë për momentin. Ky është mendimi im. Ai pati një sezon të mrekullueshëm, duke fituar titullin, por që atëherë nuk mund ta përcaktoj si kampion. Nuk mund ta shoh si të tillë përderisa nuk qëndron në skenën qendrore për shumë ndeshje radhazi. Ne e dimë se sa i mirë është ai në fushë të hapur, por duhet të ndalojmë së trajtuari Leaon si kampion. Nëse trajneri e ul në stol, e ka një arsye. Le të rrijë në bankinë dhe kaq”.
Pastaj për pagën: “Ai paguhet si kampion? Epo, ky është problemi më i madh, që ndikon për keq edhe te lojtarët e tjerë”. I pranishëm në studio, edhe Daniele Adani pranoi se ishte dakord me ish-mesfushorin e Zvicrës: “Vetë Milani e bëri kampion me fjalë. Kampion të bën fusha e lojës, produkti që jep, sjellja e treguar. Leao është larg këtij statusi, referuar performancës së treguar prej tij”.
Këtë sezon Rafael Leao ka shënuar 1 gol dhe dhënë 4 asistime deri më tani, në 11 paraqitje mes Serisë A dhe Ligës së Kampionëve. Portugezi ka luajtur gjithmonë titullar në Evropë, ndërsa në Serinë A ka provuar jo pak edhe stolin. Pas humbjes 2-1 në Firence, portugezi regjistroi dy stola radhazi, shenjë e një hapi prapa në hierarkinë e Paulo Fonseca.