Behrami: Më mirë një Valon i zakonshëm në Mitrovicë, sesa një yll futbolli në Zvicër
Dikur vetë si refugjat, tani ylli i futbollit, Valon Behrami, tregon për ngjarjet e fundit në kufijtë evropianë dhe historinë personale, shkruan “Tagesanzeiger.ch”.
Refugjatët që janë rrugëve të Ballkanit dhe kërcënohen nga vdekja si pasojë e kalimit të lumenjve dhe të ftohtit: Valon Behrami, çfarë ndjeni kur shikoni këto skena?
Behrami: Fotografitë janë tepër dëshpëruese. Ne nuk dimë historinë e këtyre personave, por mund të themi plot saktësi: nëse ndokush kalon nëpër këto peripeci, natyrisht se vuan për ekzistencë. Atëherë ai largohet në një tjetër realitet, që është shumë më i rrezikshëm dhe i keq sesa ajo që shohim në fotografi. Ata njerëz janë në luftë për ekzistencë. Ne shpesh flasim për “luftë”, qoftë edhe në futboll. Kur shikojmë fotografi të tilla, turpërohemi të gjithë.
Fotografi të tilla shohim thuajse përditë. A është kthyer në normalitet kjo tragjedi?
Behrami: Emocionet sot janë mjaft të ndryshueshme. Mbi të gjitha ka të bëjë me rrjetet sociale. Diku lexon: 40 persona janë mbytur në Detin Mesdhe. Dikush poston menjëherë një fotografi dhe shkruan: Unë lutem për diçka. Dhe dy minuta më vonë ai merr në dorë një gotë shampanjë, dhe fillon të flasë për dëshirat ditore, se çfarë këpucë do blejë. Kjo tempo është kthyer në një problem të vërtetë. Gjithmonë e më pak njerëz merret me çështjet më të rënda. Sepse për këtë ka nevojë për kohë dhe është e parehatshme të flasësh. Dhimbje e madhe.
Dhe ju? Ndjeni dhimbje?
Behrami: Për mua është e rëndësishme të kem kohë. Gjithashtu kohë për dhimbje. Unë i njoh ata. Në të njëjtën kohë unë nuk jam i ndryshëm nga shumica e njerëzve: paksa egoist. Edhe unë mendoj herën e parë për familjen time dhe për veten. Kjo është arsyeja, pse bota nuk është në rrugën e duhur.
Bota do ishte më e mirë, nëse do ndanim dhimbjen me njëri-tjetrin?
Behrami: Do thosha kështu: Shumica e njerëzve fillon ta shqyrtojë një problem kur troket në derën e tij. Kjo do të thotë: Vetëm kur refugjatët vijnë këtu, fillojmë të mendojmë për ata. Derisa dhimbjet e refugjatëve i shohim përmes videove ose fotografive, kjo tejkalohet shpejt.
Kur ju shikoni këto fotografi, mendoni për arratisjen tuaj nga Kosova?
Behrami: Atëherë më vijnë lajmet e të afërmve të mi. Babai im, motra ime dhe unë u arratisëm nga Kosova në kohën kur nuk kishte akoma luftë. Luftën e vërtetë e përjetuan të afërmit e mi. Nëse dëgjon ata sesi kanë fjetur natën nëpër male, sesi i kanë dëgjuar fishkëllimat e raketave dhe nuk dinin se ku do shpërthente ajo – atëherë tregojnë vetë sytë dhe emocionet e tyre – ata e kanë përjetuar shumë thellë dhe nuk duhet të harrohet kurrë. Nuk kam pasur përjetime më të këqija.
Por detyrimi për tu arratisur, për të ikur. Këtë ndjenjë ju e keni përjetuar?
Behrami: Këtë po. Por këtë nuk e shoh shumë dramatike. Isha shumë i ri – pesë vjeçar. Kujtimet e mia janë pozitive: Zvicra na ka mirëpritur. Ishim shumë me fat. Përjetuam një Zvicër me duar të hapura. Për këtë mendoj shpesh, kur shikoj fotografitë e refugjatëve të sotëm: Ju uroj atyre gjithashtu një Zvicër, që më priti mua me duart e hapura.
Mendoni se Zvicra mund ta zbatojë akoma atë mikpritje?
Behrami: Po, Zvicra dhe Evropa mund ta zbatojnë dhe ta tejkalojnë këtë problem. Mendoj se secili duhet të marrë pak përgjegjësi, që bota të bëhet më e mirë, duke i mbështetur refugjatët. Refugjatët vetë duhet të aktivizohet dhe të integrohen.
I ndjekeni lajmet e fundit rreth krizës së refugjatëve?
Behrami: Ne nuk njohim realitetin e vërtetë të vendeve të tyre të origjinës – kjo nuk ishte ndryshe as para 25 vjetëve. Ne shohim atë që dëshirojnë të na servirin dhe jo atë që është në të vërtetë. Por një gjë është e ditur: një person arratiset, kur nuk ka zgjidhe tjetër. Ata rrezikojnë gjithçka, qoftë edhe jetën e tyre.
Cilat janë kujtimet tuaja të para në rrugëtimin drejt Zvicrës?
Behrami: Ne udhëtuam me një autobus nga Mitrovica në Zvicër. Në 4 dhjetor 1990 arritëm në Tessin. Erdhem drejt Bellinzona dhe u vendosëm në një hotel. Kjo më kujtohet shumë mirë: ishte shumë ftohtë dhe kishte shumë vende parkimi përpara hotelit.
Nuk ishte ndonjë hotel i bukur, siç qëndroni momentalisht?
Behrami: Jo, nuk ishte (qesh). Megjithatë mua më pëlqen secili hotel, nëse ka diçka për të ngrënë, pavarësisht se gatimet e shtëpisë më pëlqejnë më shumë. Gjatë vendosjes tonë në dhomën e hotelit, filluam të dëgjojmë një kasetë me muzikë të vjetër shqiptare.
Kur ishte ai momenti kur thatë: tani jemi të sigurt?
Behrami: Për babain ishte ky moment – për mua jo, unë isha i vogël. Për babain tim ishte rrezik në Kosovë, sepse nga sulmet policore çdoherë si shënjestër ishin burrat. Babai im në Zvicër përsëri ndjehej i qetë. Në të njëjtën kohë ai kishte presion. Në ndodheshim në një rreth tërësisht të ri, dhe nuk e dinim sesi do ishte e ardhmja.
Pse ishte bërë e rrezikshme për babain tuaj në Kosovë?
Behrami: Në fund të viteve 1980-të ishte bërë gjithmonë e rrezikshme për shqiptarët në Kosovë. Ata ishin të shantazhuar, nuk futeshin nëpër punë si dhe dhunoheshin e kërcënoheshin nga policia. Një ditë babai im erdhi në shtëpi dhe tha plot i vendosur: Ne duhet të largohemi.
Çfarë punonin atëherë prindërit tuaj?
Behrami: Babai im ishte drejtor i një firme plastike. Nëna ime ishte sekretare. Kishim një jetesë të mirë. Nëse nuk do fillonte lufta ne do kishim mbase përsëri një jetë normale dhe unë një rini të zakonshme.
Çfarë do zgjidhnit? Jetën e zakonshme në Mitrovicë ose jetën si yll futbolli në Zvicër?
Behrami: Do habiteni, por unë kisha dashur Valonin e zakonshëm në Mitrovicë. Natyrisht që unë kam një jetë mjaft të mirë këtu dhe kam të ardhura të majme. Jam gjithashtu me fat që jam zviceran dhe shumë falënderues njëkohësisht. Në të njëjtën kohë lufta na ka sjellë shumë fatkeqësi në familjen time. Disa nga të afërmit e mi janë vrarë, disa kanë humbur gjithçka. Më shumë do dëshiroja, që kurrë mos ndodhte kjo, dhe të rriteshim si një familje e madhe.
Cilat ishin presionet e para nga prindërit kur erdhët në Zvicër?
Behrami: Ata ishin mjaft të gëzuar: Ne duam të punojmë këtë dhe të ndërtojmë një jetë të re. Besoj se çdonjëri që njëherë është arratisur, mendon në këtë mënyrë. Secili dëshiron me çdo çmim të gjejë përsëri fondamentin.
Çfarë pune kishin prindërit tuaj në Zvicër?
Behrami: Babai im paketonte suxhuk në frigorifer, ndërsa nëna ime punonte në një fabrikë për prodhimin e cilindrave për automjete. Më pas ajo u bë pastruese. Jetonim në Ligornetto, prindërit punonin në Stabio, rreth katër kilometra larg. Për të kursyer para, përditë shkonin e vinin në këmbë. Unë dhe motra ime qëndronim vetë në shtëpi. Motra ime kujdesej për mua, sepse ajo ishte nëntë, ndërsa unë shtatë vjeç. Njëherë e qëllova motrën time në kokë dhe filloi hemarogji. Ajo thirri nënën dhe ajo vraponte për në shtëpi. Për nënën time kishte qenë një kohë e vështirë. Ajo është dashur të punojë dhe në të njëjtën kohë të kujdeset për fëmijët.
Mjeku më pas ndali hemoragjinë?
Behrami: Fatmirësisht kaloi pa mjek. Prej atëherë nuk i besoj shumë kokës (qesh me të madhe).
Shumë vjet në Zvicër keni jetuar me frikë: tre herë është vendosur që familja juaj të largohet drejt Kosovës?
Behrami: Prindërit e mi kërkonin gjithmonë një jetë më të mirë për ne. E dija se për ta ishte shumë e vështirë. Megjithatë, çdoherë kam qëlluar me fat. Kisha një jetë të thjeshtë, por normale. Unë dhe motra ime shkonim në shkollë, por më e bukura ishte: ne ishim gjithmonë bashkë. Një shtëpi e vogël ka anët e saj të mira: gjithmonë je afër. Dhe ne kishim vërtet një shtëpi të vogël.
Ju e ndanit dhomën me motrën tuaj?
Behrami: Ne flenim të katër në një dhomë. E kuptoja se jetonim në kushte të vështira, përkundër që prindërit asnjëherë nuk bisedonin për këtë. Pavarësisht se çfarë do ndodhte, ne do ishim bashkë. Kjo më ka ndihmuar edhe në futboll. Unë përpiqem 100 përqind, atëherë kur është e rëndësishme dhe nëse nuk shkon, atëherë e pranoj rezultatin. Ka sende që nuk bëhen. Prindërit e mi thoshin: “Ne do bëjmë gjithshka për të qëndruar. Por nëse nuk bëhet, atëherë nuk bëhet”.
Gjatë 1998 u vendos që ju të qëndroni në Tessin. A e dinit si qëndronte puna me të afërmit tuaj në Kosovë?
Behrami: Jo! Nuk e dija sesi ishin ata, gjatë shumicës së kohës kur ishte lufta. Kontakte mobili nuk kishte. Vetëm lexonin shtypin ditor, ku një raketë kishte vrarë 20 persona, pikërisht aty ku jetonin të afërmit tonë. Atëherë vuanim dhe shpresonim shumë. Kishte muaj të tërë, derisa merrnin vesh për ndonjërin se jetonte akoma.
Nuk kishte lidhje direkte me telefon?
Behrami: Jo. Të afërmit duhet të shkonin në qytet për të telefonuar. Por kjo mund të bëhej vetëm gjatë ditës.
Si fëmijë ishit xheloz ndaj kolegëve që kishin kushte më të mira dhe kishin më pak shqetësime?
Behrami: Atëkohë isha i kënaqur me pak. Fitoja diçka të vogël dhe kënaqesha gjithë ditën me atë. Sot fëmijët kanë 120 lojëra dhe kërkojnë më tepër dhe më tepër (qesh). Mbase është normale. Njeriu përshtatet me realitetin, ku rritet si fëmijë.