Behxhet Shala: Fushata e hershme nuk do t’u ndihmojë subjekteve politike për rritjen e elektoratit
Ndonëse ka mbetur edhe një javë deri te mbajtja e seancës për shpërndarjen e Kuvendit dhe më pas caktimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme, partitë politike kanë filluar aktivitetet elektorale.
Këtyre ditëve janë shtuar takimet e liderëve partiakë me struktura dhe me qytetarë.
Vetëm gjatë kësaj jave liderët e subjekteve më të mëdha në vend kanë realizuar dhjetëra takime me grupe të ndryshme të qytetarëve, rini, ish-luftëtarë, biznesmenë dhe sipërmarrës.
Për këtë fushatë të parakohshme për gazetën “Epoka e re” ka folur analisti politik Behxhet Shala.
Ai ka vlerësuar se në këta gjashtë muaj është shtuar fushata nga të gjithë liderët e pozitës dhe të opozitës. “E kemi parë që shumicën e rasteve liderët politikë i kanë kaluar nëpër terren, në takime me degë, nëndegë, biznese ku kanë shpalosur programet dhe premtimet e tyre për qeverisjen e ardhshme. Është një fushatë e pashpallur. Fushata elektorale për zgjedhje të parakohshme po zgjat më shumë sesa të ishin zgjedhje të rregullta. Domethënë, po bëhen përgatitje për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet, sepse asnjë parti politike nuk është e gatshme për zgjedhje, lëreni ju se çfarë deklarojnë ata”, ka theksuar Shala.
Ai ka thënë se fushata e parakohshme më shumë po bëhet për t’iu vardisur ndonjërit subjekt sesa për të krijuar elektorat të ri. “Përmes kësaj fushate nuk po luftohet për elektorat, por për pozicion politik. Me këtë fushatë këta po duan ose ta frikësojnë partnerin në zgjedhje ose t’i vardisen ndonjërit subjekt politik në mënyrë që ta bëjnë ose një koalicion parazgjedhor për ta siguruar mbijetesën politike apo të bëjnë një marrëveshje për një koalicion pas zgjedhjeve”, është shprehur Shala, duke shtuar se kjo fushatë e parakohshme nuk do t’i ndihmojë subjektet politike për rritjen e elektoratit.
“Kjo është një fushatë legale, por e pambështetur në rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Por, meqenëse nuk ka diçka që e sanksionon, atëherë fushata po vazhdon. Sidoqoftë, nuk besoj se kjo fushatë do t’u ndihmojë subjekteve politike për rritjen e elektoratit. Madje dikujt kjo fushatë do t’i kthehet bumerang”, ka theksuar Shala.