Behxhet Shala thotë se Asociacioni do të ketë kompetenca ekzekutive
Analisti politik Behxhet Shala ka paralajmëruar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të ketë kompetenca ekzekutive.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ky asociacion do të jetë një pushtet i tretë në Kosovë.
“Asociacioni është i rrezikshëm për faktin se do të ketë kompetenca ekzekutive dhe, si i tillë, do të jetë një pushtet i tretë. Ndonëse këta po thonë se nuk do të ketë kompetenca të tilla, po e shohim se serbët dhe bashkësia ndërkombëtare as që po i marrin parasysh vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese. Ndërsa ne për konsum të brendshëm po i tregojmë muskujt duke deklaruar se Kushtetuesja do të jetë ajo e cila do të vendosë në fund për asociacionin”, është shprehur Shala.
Besnik Tahiri, Koordinator Nacional për Reforma Shtetërore në Qeverinë e Kosovës, e ka kundërshtuar dje një gjë të tillë.
Ai ka thënë se statuti i Asociacionit duhet të reflektojë rekomandimet dhe të marrë për bazë udhëzimet e Kushtetueses.
“Qeveria do të jetë e qartë duke mos lejuar që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive dhe në të njëjtën kohë duke mos lejuar nivel të dytë rajonal në sistemin politik dhe qeverisës të vendit”, ka thënë Tahiri.
/Epoka e re/