BEI dhe Komisioni Evropian do të trefishojnë mbështetjen këshillimore për Ballkanin Perëndimor
Falë marrëveshjes së njoftuar nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI) dhe Komisioni Evropian në takimin e palëve të interesuara të Jaspers, të organizuar në Bruksel, Banka do të jetë në gjendje të trefishojë ndihmën e saj këshillimore për Ballkanin Perëndimor dhe mundësisht edhe Turqinë.
Mbështetja do të ofrohet në kuadër të programit të përbashkët të institucioneve Jaspers, duke e çuar buxhetin në vlerën më të madhe deri më sot prej 20 milionë euro për asistencë teknike dhe rritjen e kapaciteteve të ekspertëve, gjatë gjashtë viteve të ardhshme.
“Kjo marrëveshje e re angazhon burime në nivel rekord për të mbështetur procesin e zgjerimit të BE-së, duke ndihmuar vendet të përgatisin strategji, plane dhe investime jetike, duke rritur kapacitetet e tyre për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve. Kjo mbështetje e shtuar këshillimore e BEI-t do t’u lejojë partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor të zbatojnë në mënyrë efikase më shumë projekte në kuadër të planit ekonomik dhe investimeve të BE-së, duke ndjekur prioritetet e politikës së BEI-t”, ka pohuar zëvendëspresidentja e BEI-t, Teresa Czerwinska.
Që nga viti 2005, programi këshillimor i BEI-t, Jaspers, është zbatuar në 27 vende dhe ka mbështetur përgatitjen e qindra projekteve me vlerë mbi 317 miliardë euro në fushat e transportit të qëndrueshëm, mbrojtjes së mjedisit, novacionit, kujdesit shëndetësor dhe tranzicionit të gjelbër brenda dhe jashtë BE-së.
Mathieu Bousquet, drejtor i komanduar në Drejtorinë e Përgjithshme për Negociatat e Fqinjësisë dhe të Zgjerimit (DG NEAR), Komisioni Evropian, ka theksuar se janë shumë të kënaqur për nënshkrimin e një marrëveshje të re kontributi me BEI-n për vazhdimin e mbështetjes këshillimore Jasper në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi.
“Nëpërmjet Jaspers, ne vazhdojmë të mbështesim përfituesit e IPA në rrugën e tyre drejt BE-së përmes përgatitjes dhe zbatimit të projekteve infrastrukturore që janë teknikisht të shëndosha, të qëndrueshme për mjedisin, si dhe ekonomikisht e financiarisht të qëndrueshme. Vlen të theksohet se Jaspers gjithashtu këshillon vendet anëtare të BE-së për investime dhe përgatitjen në proceset e mëparshme të anëtarësimit. Jam i bindur se shërbimet këshillimore të ofruara nga Jaspers do të vazhdojnë të sjellin një ndikim pozitiv social dhe përfitime ekonomike për qytetarët.
Duke qenë aktive në Ballkanin Perëndimor që nga viti 2011, marrëveshja e fundit bazohet në suksesin e mbi njëqind detyrave këshillimore të Jaspers për përgatitjen e projekteve me vlerë 9 miliardë euro në sektorët e transportit, ujësjellësit, mbetjeve dhe efikasitetit energjetik.
Një shembull i një mbështetje të tillë është përgatitja e planit të ngritjes së kapaciteteve për hekurudhat shqiptare, që rezultoi në alokimin e një granti investimi me vlerë 136 milionë euro në kuadër të kornizës së investimeve të Ballkanit Perëndimor, me qëllim rehabilitimin e linjës hekurudhore nga Vora deri në kufirin me Malin e Zi.
Aktiviteti theksoi gjithashtu ndihmën e shtuar të Jaspers për Ukrainën, Moldavinë dhe vendet e tjera të partneritetit lindor të BE-së. Nëpërmjet një instrumenti të dedikuar të investimeve të partneritetit lindor në konektivitet (EPIC), këto vende kanë marrë mbështetjen këshillimore Jaspers me qëllim përmirësimin e lidhjes së transportit si brenda rajonit të Partneritetit Lindor ashtu edhe ndërmjet vendeve partnere dhe BE-së, me një fokus të fortë në rrjetin e zgjeruar transevropian të transportit (TEN-T).