Bekaj: Ky është viti im i fundit te Tirana, dua një transferim jashtë
Visar Bekaj, portieri i Tiranës, ishte pjesë e emisionit “Koha shtesë”, ku foli për pozitën e tij te Përfaqësuesja e Kosovës dhe për skuadrën e Tiranës. Tirana momentalisht pozicionohet e dyta me 18 pikë në tabelën e Kategorisë Superiore në Shqipëri, vetëm 1 pikë larg rivalit të saj, Partizanit. Me suksesin përballë një rivali tjetër në formën e skuadrës së Kukësit, është e qartë se Tirana mendon që sërish të luftojë për titullin e kampionit. Dhe me Bekajn në portë deri më tani ka pësuar vetëm 8 gola duke pasur mbrojtjen e dytë më të fortë në Shqipëri.
I pyetur për periudhën e tij që po kalon te Tirana, Bekaj u përgjigj: “Do të jetë kampionat i vështirë, por do të jemi mes më të mirëve, te Tirana kam gjetur profesionalizëm dhe infrastrukturë më të mirë, por më shumë ka cilësi kampionati i Kosovës”. Por a do të ketë hapësirë te Kosova.
Lidhur me këtë pyetje Bekaj u përgjigj: “Shpresoj të jem pjesë dhe të kem mundësi. Ndonjëherë mërzitem kur trajnerët nuk më dhurojnë mundësinë, por unë duhet të vazhdoj që të punoj dhe shpresoj ta arrij qëllimin tim”. Ai, gjithashtu, foli edhe për situatën e kontratës së tij te Tirana, duke thënë se do t’i shikojë mundësitë që ka dhe të shohë që ndoshta të transferohet jashtë: “Është viti im i fundit te Tirana dhe si lojtar i lirë synoj të transferohem jashtë, pasi që kontrata ime të skadojë në qershor”.
I pyetur se a ka diskutuar me trajnerin e Kosovës, Alain Giresse, për pozitën e tij te “Dardanët”, Bekaj ka deklaruar se nuk ka komunikuar me të, por se do të shohë se çfarë do të vendosë e do të veprojë. “Nuk kam pasur bisedë me të. Shpresoj ta ketë mirë, por nuk kam ide se si do të veprojë ai. Kosova më ka bërë burrë dhe ky është vendi im dhe nuk ia kthej shpinën Kosovës. Për Shqipërinë kam shumë respekt, por zemra ime rreh për Kosovën”, ka shtuar Bekaj.