Bekim Jashari: E bekuar qoftë Ushtria e Kosovës!
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka uruar qytetarët e Kosovës për themelimin e ushtrisë.
Ai ka thënë se Kosova është e bekuar për miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kosovë u bë ushtria! Duke e kujtuar me respekt të thellë sakrificën e pashembullt të Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, të gjithë dëshmorëve, heronjve, martirëve, bijve dhe bijave më të devotshëm të Kosovës, që përmbushën detyrimin më fisnik dhe më madhor që ka njohur njerëzimi, atë të vetëmohimit për lirinë e atdheut të larë me gjak, shprehim falënderim dhe mirënjohje të pakufishme në këtë ditë të madhe për atdheun tonë”.
“Të bekuar nga Zoti për miqësinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nën kujdesin e nënës Shqipëri dhe përkrahje të miqve tjerë ndërkombëtar, në rrugëtimin tonë me shumë vuajtje, për të ardhur tek vendimi më i rëndësishëm pas shpalljes së pavarësisë, vendimi për Ushtrinë e Kosovës! Bekuar qoftë Ushtria e Kosovës! Urime Kosovë!”, ka shkruar Jashari në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/